Planet e dy kompanive austriake dhe norvegjeze EVN dhe Stadkraft për investimin e 950 milionë eurove në sektorin energjetik të Shqipërisë konkretisht në ndërtimin e 3 hidrocentraleve më kaskadën e lumit Devoll kanë patur një jehonë të madhe në mediat e huaja. Duke nisur që nga agjencia e lajmeve Reuters, prestigjiozja Forbes e deri te media të tjera evropiane apo kineze dhe iraniane.

Sipas të dhënave ndërtimi i tre stacioneve hidroelektrike në pjesën lindore të Shqipërisë është projekti më i madh energjetik i Evropës. Kreu ekzekutiv i kompanisë austriake EVN u shpreh për agjencinë Reuters se përmasat unike të ndërtimit të kaskadës së Devollit si një nga investimet më të mëdha ndonjëherë në Shqipëri dhe projekti më i madh hidroenergjetik në Evropë, justifikon përpjekjet e kompanisë.

Kaskada e Devollit do të ketë një kapacitet prej 340 megavat që do të shkojë gjithnjë e në rritje me një investim që shkon në mbi 1 miliardë euro. Sipas të dhënave të kompanisë për ndërtimin e kaskadës së Devollit do të punësohen drejtpërdrejt mbi 5 mijë punëtorë në frontin e punës dhe 2500 të tjerë ndihmës. 

Kompania EVN shkruan prestigjiozja ekonomike Forbes së bashku me një tjetër po austriake Verbund planifikon të ndërtojë edhe një hidrocentral uji në lumin Drin  që do të kushtojë 160 milionë euro.

Do të jetë stacioni i parë i energjisë së rinovueshme në Shqipëri në këto 30 vitet e fundit thotë Forbs. Investimet e huaja të drejtpërdrejta vlerësojnë mediat e huaja padyshim që do ti japin një shtysë pozitive ekonomisë shqiptare por dhe do të mundësojë në krijimin e vendeve të mëdha të punës dhe do të rrisin sigurinë energjetike të këtij vendi. /tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle