Shqipëria zbriti në Ligën C pas humbjes 2-1 me Ukrainën të martën në Tiranë e transmetuar në TV Klan. Sfida ku pretendohej të sillte vendin e parë e çoi Kombëtaren të fundit në grup.
2 gola të pësuar në minutat e para ndëshkuan kuqezinjtë, ndërsa në krye e mbylli Çekia që mundi 2-1 Gjeorgjinë në Ligën e Kombeve. Sylvinho e nisi me ndryshime, pasi në vend të Bajramit në krahun e majtë u aktivizua Muçi, ndërsa në të djathtë ishte titullar Asani, i cili e kaloi dëmtimin.
Në krye të sulmit titullar ishte Daku. Para nisjes së sfidës u mbajt 1 minutë heshtje për 14-vjeçarin e vrarë të hënën nga një bashkëmoshatar i tij. Ai ishte një futbollist i moshave të Dinamos.
Ukraina që e nisi menjëherë në sulm edhe realizoi pas 5 minutash lojë me Zinchenko. Ukrainasit nuk e ndalën presionin dhe dyfishuan në minutën e 10’ me Yaremchuk, i cili mposhti lehtësisht mbrojtjen kuqezi dhe portierin Strakosha. Golat e pësuar i shtynë Kuqezinjtë drejt sulmit, por pa mundur të konkretizojnë aksionet e tyre.
Në pjesën e dytë, Sylvinho zëvendësoi Dakun me Uzunin dhe Asanin me Bajramin. Në të 50’ Muçi i cili ishte më aktiviti deri në ato momente la fushën i dëmtuar dhe në vend të tij hyri Hoxha. Futbollistët e Kombëtares u shfaqën më kërkues, duke ndryshuar lojën. Në të 62’ Ajeti goditi portën, por Trubin nuk lejoi golin.
Në minutën e 75’ Bajrami realizoi me 11-metrëshin e fituar nga Uzuni. Pas golit Sylvinho shtoi forcat në sulm, duke aktivizuar Tucin në vend të Ramadanit. Bajrami pati një tjetër rast të artë në 78’, por goditja e tij u pengua nga Mykolenko.
Minuta pati edhe për Seferin, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Shqipëria tani duhet të përqendrohet te shorti i 13 Dhjetorit për kualifikueset e Botërorit 2026.
Tv Klan