Shqipëria është përzgjedhur si një nga vendet më të mira evropiane për tu vizituar edhe gjatë vitit 2025.
Në një artikull të botuar në revistën globale CN Traveler (Condé Nast Traveler), ekspertët nga të katër anët e globit kanë zbuluar dhe rekomanduar 11 destinacionet më të mira për të udhëtuar në 2025, ato destinacione që tashmë kanë bërë bujë në rrjetet sociale.
Peizazhi në Shqipëri është një ndërthurje e Alpeve evropiane, fshatrave përrallore dhe bregdetit idilik që rivalizon rivierat më të mira të Mesdheut, thuhet në përshkrimin që ky artikull i bën vendit tonë.
Një aeroport i ri i planifikuar në Vlorë do t’u ofrojë vizitorëve akses në plazhet më të bukura të detit Jon, duke shmangur bllokimet e trafikut që më herët mundonin turistët që vinin nga Tirana.
Dikur vendi i pushuesve aventurierë, sot Shqipëria renditet si një destinacion i rëndësishëm turistik në vitin 2025. Pavarësisht se është pak më e vogël se Zvicra, atraksioni i saj qëndron në diversitetin e saj mbresëlënës, i cili përfshin në mënyrë kompakte një shtrirje të Alpeve, pyjeve antike, fshatrave përrallore dhe dy vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një bregdet me ujëra të kristalta për të rivalizuar gjithçka që Greqia mund të ofrojë.
Në këtë artikull u kushtohet vëmendje plazheve më të bukura të detit Jon, i njohur edhe si perla e Shqipërisë. Qeveria planifikoi të tërhiqte 10 milionë turistë deri në vitin 2025, një objektiv që u tejkalua deri në vitin 2023, kështu që ky mund të jetë viti i fundit që mund ta gjeni Shqipërinë relativisht të qetë, thuhet në artikullin e revistës së njohur.
Në këtë listë Shqipëria renditet mes destinacioneve më të bukura të Gjermanisë, Portugalisë, Greqisë, Ishujve Faroe, Francës, Spanjës, etj.
Kryeministri Rama ka ndarë në rrjetin social Facebook këtë artikull, duke shkruar se gjiganti mediatik Condé Nast Traveller e etiketon vendin tonë si destinacioni që duhet vizituar me patjetër për vitin 2025, nga plazhet kristal të rivierës, te alpet madhështore, sitet historike të UNESCO-s, e që së bashku me aeroportin e ri të Vlorës dhe hotelet e brandeve ndërkombëtare me pesë yje, premtojnë një tjetër sezon fantastik turistik.
Klan News