Kjo është pamja sot e sheshit kryesor të Tiranës, të cilën kryeministri Sali Berisha e përkufizoi katastrofike.

Ndaj dhe në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, kryetari i qeverisë ngarkoi me detyrën e shtrimit sa më parë të sheshit Ministrin e Punëve Publike, Sokol Olldashi, një hap që do të ndërmerret në bashkëpunim me autoritetet lokale, gjë që nënkupton Bashkinë e Tiranës e cila prej të paktën dy vitesh disponon një fond prej 10 milionë dollarësh, donacion i qeverisë së Kuvajtit pikërisht për sheshin.

Kryeministri adresoi një fjalim të ashpër, nisur dhe nga situata tejet alarmante e sheshit Skënderbej.

Sali Berisha: “Një shesh udhëtimi në të cilin është udhëtim në horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit të sheshit. Nuk mundet që lobe të caktuara, interesat dyerhoteleshe, dyer të tilla e të atilla, të bllokojnë sheshin e qytetit. Qeveria e Kuvajtit ka dhënë 10 milionë dollarë për sheshin dhe kalohet nga gropa në gropë, por, zotëri, të skuqet faqja të shkosh nga xhamia tek Hotel Tirana. Nuk ka sot qendër komune në Shqipëri që të jetë në situatën e qendrës së Tiranës. Ne duhet të shtrojmë një shtresë të mirë asfalti dhe mos ta turpërojmë vendin se kushdo që vjen shef aty, një shkatërrim, do t’i kërkosh edhe autoritete vendore. Urdhëroni! Të heqim gropat. Nuk ka kush ndërmend të marrë kompetencat se, por nuk mund të tolerohet një situatë diskredituese. Çdo i huaj që vjen do të më thotë çështjen e  sheshit. Imagjino të mendojë se Bashkisë Tiranë nuk i jepet një qindarkë se nuk ka njeri që mund të mendojë që lihet me qëllim sheshi në atë mënyrë, prandaj ulu me të, i thuaj zotëri, kur të bëhet përzgjedhja e planit, se kalohet një herë nga një plan francez tek plani belg, plani zviceran, planet më radhë. Planet ndryshojnë sipas çështjeve, qytetarët duan ta kenë sheshin e sheshtë”.

Në Janar të vitit 2008, Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen me shtetin e Kuvajtit, për të përfituar fondin e investimit me vlerë pesë milionë euro, dhuratë e drejtpërdrejt e Emirit të shtetit të Kuvajtit, për rehabilitimin e plotë të sheshit Skënderbej, por sot e kësaj dite arsyet e moszbatimit të këtij projekti janë mbyllur në sirtarët e Bashkisë.

Gjendja mjerane në të cilën ndodhet sheshi Skënderbej ka qenë në fakt prej gati dy vitesh objekt i vazhdueshëm i kronikave të Televizionit Kombëtar Klan.

Mbledhja e qeverisë nisi me përcaktimin e hapave të reja për zbatimin e një prej projekteve madhore të qeverisë, Shqipëria në moshën digjitale.

Sali Berisha: “është e domosdoshme që të krijojmë zonat e lira për it-në. duhet të diskutojmë ngritjen e fondit kombëtar të Shqipërisë digjitale. kur katër vite më parë unë shpalla nismën “internet në çdo shkollë” e keni vetë parasysh ju. merr shihni ato kronikat se si filluan të përqeshin disa që e përdorin internetin vetëm për të bërë mesazhe për veten e tyre, për të votuar për veten e tyre. i keni vetë parasysh. s’po flas për emra, se i gjeni vetë ju. tani nuk flas më për çdo shkollë, flas për çdo shtëpi internet me bandë të gjerë super të shpejtë. nga 2 megabajt do të shkojnë në 100 megabajt në sekondë.”

Një ndër masat për të cilën kryeministri ngarkoi me detyrë Ministrin e Arsimit ishte dhe trefishimi i studentëve në degën e IT-së për vitin që vjen. Viti që lamë pas numëroi 1900 studentë.

Sali Berisha: “Ne duhet të arrijmë pranimet në IT së paku 6000 vitin që vjen, të angazhojmë ekspertët tanë më të mirë, por dhe ekspertë ndërkombëtarë. Viti i ri shkollor në universitetet tona në degë të IT-së private apo publike duhet të fillojë me një kurrikulë të re të mirëstudiuar, të plotësuar në të gjitha boshllëqet e saj. Mund të kemi vështirësi për profesor. Zoti Ministër, le të hapim me urgjencë tenderin dhe të marrim profesorë të huaj”.

Bilanci i përhapjes së internetit në Shqipëri ka shënuar zhvillimet e jashtëzakonshme.

Në 2005 treguesi i përdorimit ishte 4.8% në shkallë vendi. Pas katër vitesh mbërriti në 32%, ndërsa mesatarja evropiane llogaritet 45%.

Ambicia e qeverisë, siç tha kryeministri Berisha, është që të tejkalohet mesatarja evropiane e përhapjes së internetit në shkallë vendi./tvklan.al

Gazetarja: Menada Zaimi