Kreu i Partisë Demokratike është shprehur se nuk ka një ngecje të negociatave me aleatët sa i përket marrëveshjes për koalicionet. Berisha ka thënë se marrëveshja për koalicionin do të dorëzohet në mesnatë.

“Nuk ka ngecje të negociatave me aleatët. Negociatat ecin mirë, marrëveshja do dorëzohet në mesnatë. Është në vazhdim e sipër, por nuk ka ngecje. Jo, nuk ka ngecje. Probleme të mëdha nuk kemi, megjithatë do shohim fundin. Janë në negociata, vazhdojnë negociatat”, theksoi Berisha.

Ndër të tjera kryedemokrati duke u ndalur sërish tek primaret ka theksuar se ky proces nuk ishte garë për të qenë në listë të sigurtë, por një kriter në përpilimin e listave.

Ai shpjegoi se përpilimi i listave të mbyllura do të bazohet në këtë kriter kryesor, ndërsa pranoi se faktorë të tjerë, si aleatët, do të ndikojnë gjithashtu në përpilimin e listave. Berisha siguroi se kuotat për gratë dhe të rinjtë do të respektohen në këtë proces.

“Kjo garë nuk është bërë për të qenë në lista të sigurta. I sigurtë të jetë, që ai që merr më shumë vota do të jetë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Por padiskutim në përpunimin e listave të mbyllura ky është një nga kriteret kryesore. Listat e mbyllura kanë aleatët, kanë disa kushtëzime. Janë disa faktorë që ndërhyjnë. Por a do jetë ky një kriter për përfshirjen e tyre. Po, do të jetë një kriter i rëndësishëm gjer në kuotat. Kuotat, megjithëse ju e patë se ka zonja që kanë marrë vota shumë lart dhe nuk ka asnjë vështirësi në këtë mes”, tha kreu i demokratëve./tvklan.al