Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përsëritur atë që theksoi ditën e djeshme nga Milano se “Viti 2025 shpallet viti i diasporës”.
Berisha gjatë fjalës së tij shprehet se nëse diktaturën e parë dhe revolucionin e viteve ’90 për përmbysjen e diktaturës, e udhëhoqën studentët, tani çlirimtarët e vërtetë të Shqipërisë janë bijtë dhe bijat e saj që janë larguar për një jetesë tjetër.
“2025-a do hyjë në historinë tonë kombëtare si viti i diasporës shqiptare. Ju nuk keni qenë në takimet që kam pasur në Itali, në Greqi, por u garantoj që në jetën tuaj ju nuk keni parë, dhe imagjinata juaj nuk e rrok dot entuziazmin, shpërthimin e entuziazmit në këto takime. Një shpërthim i jashtëzakonshëm, një shpërthim i paparë, një energji pozitive, një optimizëm që po të përdorim një term figurativ, vetëm sa nuk çante muret e sallës dhe të stadiumit. Atëherë, nuk mund të mos shpallej viti 2025 si viti i diasporës, pasi i gjithë ky shpërthim eksploziv është një uragan fitoreje.
E theksova dje para mijëra e mijëra vetëve në atë stadium dhe e theksoj sot përsëri, në rast se revolucionin e viteve ’90 për përmbysjen e diktaturës, e udhëhoqën studentët liberatorë, tani çlirimtarët e vërtetë të Shqipërisë janë bijtë dhe bijat e saj që kanë mërguar për një jetesë tjetër, por që janë të vendosur të bëjnë gjithçka për të shpëtuar Shqipërinë nga narkodiktatura e Edi Ramës. Është një uragan i papërmbajtur”, thekson Berisha.
Ndër të tjera Berisha u shpreh se garanton të gjithë emigrantët se Shqipëria do bëhet vendi i ëndrrave të tyre.
“Mirënjohjen më të pakufishme të gjithë shqiptarëve jashtë vendit. Garancinë e plotë dhe zotimin solemn se Shqipëria do bëhet përsëri vendi i ëndrrave të tyre. Se Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria me të cilën ata do ndjehen krenar, do konsiderojnë rikthimin në Shqipëri apo do ndjehen krenar kudo që të jenë”, deklaron Berisha./tvklan.al