Shqipëria pritet të përjashtohet nga përfitimi i fondeve amerikane të destinuara për zhvillimin e mijëvjeçarit. Një raport i qendrës për zhvillimin botëror ka publikuar një studim sipas të cilit Shqipëria humbet shancet për të përfituar nga financimet amerikane të mijëvjeçarit gjatë këtij viti. Shkak për përjashtimin e vendit tonë, sipas këtij studimi është bërë shkalla e lartë e korrupsionit në vend. Ministri i Financave Arben Malaj pati gjatë ditës së djeshme një takim me ambasadorin amerikan ku është biseduar pa praninë e kamerave edhe për çështjen e financimeve amerikane të mijëvjeçarit. I pyetur nga Televizioni Klan në lidhje me këtë çështje minsitri i Financave Arben Malaj nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment. Vendimi për financimet amerikane që do të mund të përfitoheshin përmes Bankës Botërore pritet të merret pas afro një muaji. Sipas parashikimeve të raportit Shqipëria pritet të mos përfitojë nga këto fonde edhe gjatë vitit të ardhshëm. Kushtet për të përfituar nga ivenstimet e Mileniumit janë kontrolli i korrupsionit, qeverisja efektive, të drejtat politike, investimet në shëndetësi dhe arsim si dhe problemet e lirisë së tregut. Bosnjë Hercegovina dhe Bullgaria janë vendet e vetme të Ballkanit që pritet të përfitojnë nga këto investime. Serbia është përjashtuar totalisht nga këto financime për arsye politike. /tvklan.al