Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Shqipëria është e pranishme në panairin “Fiera del Levante” të Barit. Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli përfaqësoi plan shqiptare në evenimentin më të rëndësishëm tregtar të ditëve të fundit. Në ceremoninë e hapjes së edicionit të 68 të panairit, merrte pjesë edhe kryeministri italian Silvio Berluskoni, i cili ka përshëndetur mjaft ngrohtë ministrin Angjeli.
Gjatë ceremonisë së hapjes së panairit, kryetari i bashkisë së Barit Michele Emiliano, ka përshëndetur përkrahjen e palës shqiptare për projektin e Korridorit 8, që përshin të dy vendet.
“Fiera del Levante”, panairi i përvitshëm gjigand i Barit, ku të pranishëm kanë qenë biznese nga e gjithë bota ka rezervuar gjatë këtij viti një hapësirë të konsiderueshme për ekspozimin e biznesit të kompanive, por dhe burimeve turistike të Shqipërisë. Albtelecom dhe ARMO strategjikët aktualisht në shitje të vënë nga ana e qeverisë, janë prezantuar në panair, ndaj interesit të investitorëve italianë.
Anastas Angjeli: “Tashmë edhe prodhimet shqiptare edhe ekonomia shqiptare, mund të përfaqësohet denjësisht jo vetëm brenda ekonomisë së vendit, por në rajon dhe në ekonominë e vendeve të tjera, dëshmi kësaj e ecurisë së zhvillimit të ekonomisë s vendit, të prodhimit në vend, të investimeve në vend. Është rasti të theksojë se në këtë panair janë paraqitur edhe dy kompanitë strategjike Albtelecomi dhe ARMO, të cilat tashmë janë përfundimisht të përgatitura për të shkuar në procesin e privatizimit”.
Abasadori italian në Shqipëri Massimo Iannucci, shprehet se interesi i biznesit shqiptar për pjesëmarrjen në panair mbetet i lartë.
Massimo Iannucci: “Pjesëmarrja e kompanive shqiptare është shumë më e madhe se në vitin e kaluar. Ka pasur kërkesa të tjera të kompanive që nuk mundën të ishin të pranishme, duhet të japim një imazh të qartë dhe konkret për Shqipërinë, për të inkurajuar kuriozitetin dhe iniciativën e sipërmarrësve italianë”.
Ministri Angjeli pati takime me personalitete të biznesit dhe qeverisjes lokale në Bari, si presidenti i provincës së Barit Di Vella, kryetari i bashkisë së Barit Emiliano, presidenti i kompanisë Kofindustria të Pulias, si dhe presidenti i industrialistëve të Barit. Ministri Angjeli zhvilloi bisedime për zgjerimin e investimeve italiane në Shqipëri edhe me presidentin e rajonit të Pulias Raffaele Fito, i cili vizitoi me mjaft interes pavionin shqiptar.
Panairi “Fiera del Levante” vizitohet nga dhjetëra investitorë biznesmenë dhe njerëz. Pjesëmarrja e biznesit dhe institucioneve shqiptare siguron padyshim hapësira dhe potenciale të reja investimesh të huaja./tvklan.al