Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Shtypi në Shqipëri është i kontrolluar nga politika. Në një listë të hartuar nga organizata Freedom House, Shqipëria renditet e fundit, në kategorinë e vendeve ku mediat janë pjesërisht të lira.

Në listën për lirinë e shtypit, e shprehur në shkallën nga 1-100, ku shifra më e ulët tregon mbrojtjen më të mirë ligjore dhe politike të mediave, Shqipëria vlerësohet me 50 pikë, e pasuar nga Maqedonia po me 50 pikë dhe Bosnje Hercegovina me 49 pikë. Ndërsa një tjetër vend i Europës Lindore, Bullgaria është cilësuar si një vend me liri shtypi dhe është vlerësuar me 30 pikë.

Ndërkohë që përsa i përket korrupsionit, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të tij. Nga një sondazh i bërë nga Transparency International, nga një shkallë 1 me 10 për të matur korrupsionin në vende të ndryshme, ku 10 përfaqëson shoqëritë më të pastra nga korrupsioni, vendet e Ballkanit renditen në fund të listës, me pikët më të pakta. Vendi ynë është vlerësuar me 2.5 pikë, ndërkohë që Maqedonia dhe Serbi-Mal i Zi janë vlerësuar me me 2.3 pikë./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka