Milano, i themeluar rreth viteve 600 përpara Krishtit, sot njihet si kryeqendra ekonomike dhe tregtare e Italisë, por edhe si një ndër kryeqytetet ndërkombëtare të modës.

Sot në Milano jetojnë rreth një milion e shtatëqind e dyzet mijë banorë, e pasur me kisha antike, siç është Katedralja e Duomos. Qendra e qytetit ka një arkitekturë thuajse unike në llojin e saj.

Daniela Kostandini: “Në motin e paqëndrueshëm të Milanos, përveç karnavaleve dhe javës milaneze të modës po zhvillohet një tjetër eveniment shumë i rëndësishëm, që ka mbledhur njerëz nga anë e mbanë bota: Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, ku merr pjesë edhe vendi ynë Shqipëria.”

Vendi ynë rikthehet të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Milano, pas pesë vjetësh, me anë të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Edicioni i 30-të i këtij evenimenti u zhvillua prej datës 18 deri në 21 Shkurt.

Shqipëria në këtë panair u prezantua me një stendë prej 18 metrash katror në formë ishulli, e ideuar me një imazh bashkëkohor.

AKT u prezantua së bashku me subjektet, të cilat operojnë në fushën e turizmit si agjencia turistike, Europa Travel, Albtours D, Sheraton Tirana Hotel, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Tiranë.

Suzana Turku: “Zhvillimi i turizmit në Shqipëri, tashmë siç dihet është një nga politikat kryesore të qeverisë Berisha dhe kjo është shoqëruar jo vetëm me investimet e mëdha që janë bërë në Shqipëri gjatë këtyre viteve, por gjithashtu është bërë edhe një përpjekje e madhe për ta pasqyruar gjithë zhvillimin e turizmit, për ta pasqyruar jashtë. Neve nga viti në vit po shkojmë edhe drejt përmirësimit të stendave tona, sepse ne kemi se çfarë tregojmë.”

Nausika Spahiu: “Vitin e fundit, ne si konsullatë, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë tonë të Jashtme, kemi filluar një bashkëpunim për promovimin e imazhit të Shqipërisë dhe sektorit të turizmit. Kjo ka lindur nga nevoja dhe nga kërkesa që shumë shtetas italianë dhe imprenditorë në sektorin e turizmit na janë drejtuar duke kërkuar material mbi Shqipërinë”

Klodian Pajuni: “Duke pasur parasysh faktin që ne kemi një shkëputje rreth 5-vjeçare nga marrja pjesë në panairin e Milanos. Është hera e parë mbas pesë vjetësh që marrim. Jep një rëndësi tjetër, sepse jemi në momentin e fundit të liberalizimit të vizave dhe për këtë arsye komunikimi që ne duhet të kemi me Italinë, realisht e bën këtë panair shumë të rëndësishëm”.

Nada Kallçiu: “Është një panair ku me të vërtetë marrim një rezultat shumë të dukshëm dhe ku me të vërtetë Shqipëria duhet të ishte pjesë e këtij panairi. Mbështetja ka qenë shumë e madhe dhe interesi ka qenë shumë i madh për Shqipërinë. Tur operatorë dhe të interesuar për Shqipërinë janë në mënyrë të vazhdueshme dhe intensive, që vijnë dhe i interesohen në stendë dhe gjithashtu interesi është dhe konkret nëpërmjet kontratave të shumta që janë nënshkruar gjatë kësaj periudhe në panair.”

Evenimenti më i rëndësishëm në fushën e turizmit që zhvillohet në Itali cilësohet si një shans i mirë për të promovuar imazhin e Shqipërisë dhe një pikë e rëndësishme kontakti për bizneset shqiptare.

Gjatë ditëve të zhvillimit të panairit, stenda e Shqipërisë pati fluks vizitorësh dhe interes nga mediat e rëndësishme, si nga gazetat La Republika dhe La Stampa, ku Shqipëria cilësohet si destinacion i vitit 2010.

Panairi gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të tij tërhoqi 153 mijë e 800 vizitorë, prej të cilëve 66% operatorë turistikë italiane e të huaj dhe 34% vizitorë të thjeshtë./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini