Qeveria e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat për ofrimin e kushteve sa më të mira për kosovarët, të cilët duan që sivjet t’i kalojnë pushimet e tyre në këtë vend. Autostrada Durrës-Kukës është një nga mundësitë e reja që ka krijuar shteti për tërheqjen e turistëve nga Kosova.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë Arjan Turku shprehu bindjen e tij se kosovarët edhe kësaj vere do të kenë mundësi të shijojnë jo vetëm detin që ofron ky vend, por tërë bukuritë e tjera natyrore.

Ardian Turku: “Qeveria shqiptare i ka kushtuar një interes të veçantë dhe në mënyrë të veçantë un do të doja që të evidentoja investimet që bëhen në plane të ndryshme po që në fund të fundit i shërbejnë edhe turizmit dhe tregut turistik.”

Sipas ministrit Turku, qeveria shqiptare ka ndërmarrë të gjitha masat për përmirësim në fushën e sigurisë, infrastrukturës rrugore, furnizim me rrymë e ujë për turistët kësaj vere. Edhe Nada Kallçiu, nga agjencia kombëtare e turizmit tha se Shqipria nga veriu në jug është e tëra në dispozicion të turistëve nga Kosova. Ajo përmendi edhe ofertat e favorshme të agjencioneve që krahasuar me vitet e kaluara janë tejet të mira.

Nada Kallçiu: “Përveç detit mund të vizitohen, ne kemi bërë promovim të bujtinave që janë në Malësi, në Theth, Vermosh, Pukë të cilat me të vërtetë janë shumë të bukura.”

Në Prishtinë po mbahet panairi i Turizmit, një delegacion nga Shqipëria i kryesuar nga ministri i Turizmit të Shqipërisë po qëndron në Kosovë për të prezantuar ofertën turistike të këtij vendi./tvklan.al