Sot Shqipëria është në zi kombëtare në nder të mjeshtrit të penës Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Flamujt në institucionet shtetërore dhe publike, me vendim qeverie, janë ulur në gjysmë shtizë.
Ashtu do të jenë edhe nesër, në ditën e dytë të zisë për Ismail Kadarenë, kur është parashikuar të mbahet edhe ceremonia zyrtare e lamtumirës, detajet e së cilës i bëri të ditur edhe kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Ceremonia mortore do të nisë në orën 09:00 të mëngjesit në Tetarit e Operës dhe Baletit, me homazhet publike, ndërsa në 11:30 do të mbahet ceremonia shtetërore e lamtumirës.
Arkëmorti i gjeniut të letrave do të vendoset në skenën e Tetarit të Operës, ndërsa në holl janë ekspozuar veprat e tij, bashkë me çmimet dhe nderimet që i janë bërë gjatë karrierës.
Më pas në 12:30, do të bëhet nisja e kortezhit drejt varrezave të Tufinës, aty ku shkrimtari i madh do të prehet përfundimisht.
Pritet një pjesëmarrje e madhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit, nga miqtë, shkrimtarë, studiues, lexues dhe personalitet nga politika.
Me vendim qeverie në orën 13:00, do të pezullohen të gjithë aktivitet publike, ndërsa me nisjen e Kortezhit do të mbahet edhe një minutë heshtje.
Ismail Kadare do të mbetet shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në 45 gjuhë të botës. Ai ndërroi jetë nga një arrest kardiak mëngjesin e 1 Korriku, ndërsa pas na ka lënë një trashëgimi të vyer që do të gëzojnë të gjithë.
Tv Klan