Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë pikë në zemrat e udhëtarëve, kështu shkruan në një artikull për vendin tonë revista franceze “Luxus Magazine”.

Vendet arkeologjike, plazhet dhe vargmalet janë ato që tërheqin dashamirësit e panoramave piktoreske në Shqipëri, vendin që përshkruhet si destinacioni i udhetimit më i nxehtë i momentit. Në shkrim rekomandohet Parku Kombëtar i Llogarasë si i domosdoshëm për t’u vizituar për natyrën e tij të gjelbër.

Nuk mund të mungonin as Kanionet e Osumit dhe Parku Kombëtar Laguna e Valbonës me kulla dhe shtëpi tradicionale. “Eshtë e vështirë të mërzitesh në Shqipëri. Vendi, i përbërë nga 70% vargmale, është një parajsë për entuziastët e ecjes”, shkruhet ndër të tjera në artikull.

Për t’u freskuar, “Luxus Magazine” rekomandon disa plazhe pasi avantazhi i Shqipërisë është se brigjet me rërë të bardhë dhe ujëra bruz janë të shpërndara në të gjithë bregdetin. Vendpushimet bregdetare të Sarandës dhe Dhërmiut përshkruhen për limanet e vegjël të mrekullueshëm. Nuk mbeten pas aq liqenet si ai i Ohrit, Komanit dhe Shkodrës.

Tv Klan