Shqipëria është tashmë zyrtarisht në NATO. Më 17 shkurt në ditën e pavarësisë së Kosovës përfundoi dhe procesi i ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të vendit tonë në aleancë nga 26 vendet anëtare të saj. Pas miratimit të Holandës edhe parlamenti i Greqisë i dha ditën jeshile hyrjes së Tiranës zyrtare dhe Kroacisë në NATO. Ky proces është mbyllur në një kohë rekord vetëm 6 muaj pas firmosje në Bruksel të protokollit të pranimit.

Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO është tashmë një çështje formale, që do të zyrtarizohet në samitin e Strasburg Kelit në muajin prill. Hapi i radhës është miratimi i protokollit nga Shqipëria dhe më pas depozitimi i të gjitha dokumenteve në Departamentin e Shtetit në Uashington.

Ministria e Punëve të jashtme ka falënderuar të gjitha vendet anëtare të aleancës për impenjimin e dëshmuar në përmbushje të angazhimit politik të marrë gjatë samitit të Bukureshtit.

Kjo sipas Tiranës zyrtare është një shprehje tjetër e mbështetjes së vazhdueshme dhe të pakursyer që vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik. Është shprehje e vlerësimit të partnerëve tanë për reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe transformimet e padiskutueshme që ka përjetuar Shqipëria këto vitet e fundit.

Gjithashtu ky hap shpreh besimin e vendeve anëtare të organizatës në aftësinë e Shqipërisë për të qenë një aleat i denjë dhe i besueshëm në përballjen me sfidat globale të sigurisë.

Në komunikatën e saj për shtyp Ministria e Punëve të Jashtme siguron vendet anëtare të NATO-s, se Shqipëria është plotësisht e vendosur për të vijuar procesin e reformave në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve dhe shtetit ligjor, me qëllim përmbushjen e standardeve të nevojshme që kërkon integrimi euroatlantik./tvklan.al