Shqiptarët e Maqedonisë do të anëtarësohen në NATO dhe Bashkimin Evropian me ose pa maqedonasit.
Kështu ka paralajmëruar nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafis Haliti, duke e shprehur pakënaqësinë e partisë së tij dhe shqiptarëve të këtushëm nga zvarritja e zgjedhjes së kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Haliti ka paralajmëruar se në rast se çështja e emrit nuk zgjidhet sa më shpejt atëherë shqiptarët e Maqedonisë do të radikalizohen.
Deklarimi i këtillë i nënkryetarit të BDI-së ka alarmuar koalicionin qeveritar. Kryeministri Nikolla Gruevski sot ka realizuar takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, në të cilin siç marrim vesh e ka shprehur pakënaqësinë e vet nga presioni që po i bën BDI rreth kësaj çështje.
Mirëpo kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi, ka akuzuar pushtetin aktual duke përfshirë edhe BDI-në se pengon zgjidhjen e çështjes së emrit dhe procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.
Menduh Thaçi: “Vazhdojnë në pafundësi manipulimet, mashtrimet e atij faktori politik që vetëm blen kohë për karriget e tyre të pushtetit. Data 7 Dhjetor është shumë afër dhe kontribuuesit më fatkeq të kësaj rruge të politikës së absurdit të Maqedonisë jashtë NATO-s dhe Unionit Evropian do të jenë vetë ata.”
Procesin për zgjidhjen e çështjes së emrit sot e ka komentuar edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku.
Arben Çejku: “Konteksti i emrit është një çështje midis Maqedonisë edhe Greqisë. Shqipëria është e interesuar që Maqedonia të jetë sa më shpejt anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Integrimi i Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian është në interesin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Ky integrim është edhe në interes të rajonit tonë dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Të njëjtin interes e gjej të shprehur tek shqiptarët në Maqedoni.”
Zgjidhja e çështjes së emrit është bërë pengesa kryesore për integrimin euroatlantik të Maqedonisë.
Pas takimit të fundit mes kryeministrave Nikolla Gruevski dhe George Papandreou dukej se procesi do të përshpejtohet, mirëpo kryeministri maqedonas edhe më tej insiston në qëndrimin se ndryshimi eventual i emrit mund të bëhet vetëm përmes referendumit, qëndrim që kundërshtohet nga bashkësia ndërkombëtare. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu