Një 58-vjeçare shqiptare ndodhet e shtruar në spitalin e Riminit me djegie në pjesën e sipërme të trupit, pasi i vuri flakën vetes. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:00 të kësaj të marte në gjykatë, por motivet janë ende të paqarta.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja italiane
La Repubblica
, ajo ndodhej në katin e parë të ndërtesës, kur nisi të bërtiste “
drejtësia italiane nuk është e drejtë”.
Më pas mori një çakmak nga çanta dhe i vuri flakën vetes. Ajo mbante veshur një xhaketë najloni, që mori flakë me shpejtësi.
Në ndihmë të gruas shkoi një avokat që ndodhej aty pranë, i cili i hoqi xhaketën. Më pas në vendngjarje mbërriti policia dhe ndihma e shpejtë.
Sipas mediave fqinje, 58-vjeçarja ankohej për një seri keqtrajtimesh kundrejt vajzës së saj, për të cilat kishte bërë disa denoncime, por pa rezultat. Fatmirësisht, shqiptarja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, është jashtë rrezikut për jetën.
/tvklan.al