Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Veriu dhe jugu i vendit janë kthyer në zonat mbi të cilat strukturat qendrore dhe njësitë administrative po punojnë prej dy ditësh. Shirat e fundit kanë nxjerrë në pah edhe njëherë pas gati dy vitesh problemet e pambyllura të përmbytjes së vjeshtës të vitit 2002. E për këto familje të përmbytura në qarkun e Shkodrës që deri dje kanë qenë me çadra Ministria e Pushtetit Lokal ka nisur sistemimin e tyre me rulota.

Shtabi i emergjencave civile pranë komunave Hajmel dhe Nelvik, si dhe bashkia e Vaut të Dejës së bashku me forcat e rendit kanë shmangur çdo mundësi për rrezikimin e banorëve. Herët në mëngjes janë mbyllur portat e shkarkimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës, pa rrezikuar zonën përreth. Në qarkun Lezhë, si pasojë e reshjeve është dëmtuar linja e tensionit të lartë, ku shumë shpejt forcat të KESH nga Tirana në Lezhë bënë që hidrovori të furnizohej me energji.

Po punohet gjithashtu për linjën e dëmtuar, pasi zona e Zadrimës dhe Torovicës është pa energji elektrike. Gjithashtu punonjësit e drejtorisë së ujërave janë duke hapur shkarkuesit, për të shmangur situatat emergjente. Për disa familjarë të përmbytur në Qarkun e Tiranës, familjarë të Paskuqanit, janë sistemuar tek të afërmit, po kështu është vepruar edhe në Qarkun e Dibrës.

Në Gjirokastër mbrëmjen e djeshme është përmbytur stacioni elektrik dhe sot po punohet për pastrimin dhe tharjen e transformatorëve. Pritet të ulet niveli i ujit në lumin Drino për t’u rikthyer energjia./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti