Shtëpia misterioze e mbuluar me gjethe në Tiranë dhe që u hap për qytetarët në vitin 2017, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë. Nga më të veçantët në vend, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve në kohën e komunizmit, përmes fakteve dhe objekteve të spiunazhit u tregon të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit.
“Unë vij nga Franca, së bashku me studentët e mi po shohim nga afër një nga muzetë më të rëndësishëm në kohën e komunizmit, pasi i shërben shumë grupit të cilit po studion për histori. Është hera e parë, por do të rikthehemi sërish.”
“Vijmë për herë të parë në Shqipëri dhe kemi parë shumë objekte kulturore, Bunkartin dhe tani tek muzeu. Është shumë i veçantë dhe ka shumë fakte dhe objekte që na ndihmojnë për të ditur se si ka qenë Shqipëria.”
“Muzeu i Përgjimeve është shumë interesant. Unë do qëndroj 9 ditë në Tiranë dhe po vizitoj sitet historike dhe kulturore.”
“Unë jam nga Amerika. Është një muze shumë i veçantë pasi tregon shumë për komunizmin.”
Të dhënat tregojnë se gjatë 1 muaji, janë 5500 vizitorë që shohin nga afër Muzeun Kombëtar të Përgjimeve, ku muret e saj kanë dëgjuar shumë.
Etleva Demollari, drejtore e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: Gjatë muajit Prill kemi pasur rreth 200 vizitorë në ditë. Totali i vizitorëve ka qenë rreth 5 mijë e 500 vizitorë. Nga Janari deri në Prill kemi pasur një rritje rreth 120% më shumë se sa vitin 2023.
E strukturuar në 31 dhoma të veçanta, duket se të huajt kanë më shumë interes për dhomën numër 14, aty ku muret janë të mbushura me emra.
Etleva Demollari, drejtore e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: Interesi është për objektet e përgjimit, dhoma e pritjes, pro edhe dhoma që i dedikohet viktimave.
“Kjo është dhoma numër 14 në muret e së cilët janë shkruar emrat e të gjithë personave të burgosur dhe të pushkatuar gjatë periudhës së komunizmit 1944-1990”, raporton gazetarja Erikleda Dorezi.
Godina e mistershme që prej 45 viteve u mbulua nga gjethet duke iu fshehur syrit të publikut dhe ku u përgjuan, kontrolluan dhe spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist është dëshmia më therëse e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat e shpirtrat e njerëzve.
Tv Klan