Efektivët e Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes së Informacionit, Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike dhe efektivët e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes do të përfitojnë rritje të konsiderueshme në pagesën shtesë për kushte të veçanta pune e shërbimi.

Vetë Ministria e Mbrojtjes ka publikuar edhe shtesën e cila është miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, për këto kategori që janë pjesë e Forcave të Armatosura.

Ministria e Mbrojtjes nënvizon se në rishikimin e masës së shtesës që i është bërë këtyre pozicioneve ajo do të variojë si më poshtë:

– nga 13.000 lekë deri në 20.000 lekë në muaj për punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes; – punonjësit e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike do të përfitojnë një trajtim nga 50.000 deri në 70.000 lekë në muaj, – ndërsa efektivët e Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes së Informacionit do të kenë një trajtim financiar nga 35.000 lekë deri në 40.000 lekë në muaj.

Me këtë trajtim financiar të ri, synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që të bëjë tërheqëse për profesionistët e fushave të ndryshme këto profile në Forcat e Armatosura.

Klan News