Qindra hektarë me mandarina janë mbjellë në fshatin Hingë të Beratit vetëm për tregun e huaj. Fermerët kanë kultivuar varietetin Klementinë, kokërr e vogël, e fortë dhe pa fara.
Nga një pemë e tillë, fermerët arrijnë të marrin 150 kg mandarina.
I gjithë prodhimi po shkon për eksport, i cili ka nisur të kryhet që nga fillimi i Nëntorit në çdo plantacion. Ky është piku i sezonit të vjeljeve dhe fermerët janë të angazhuar familjarisht në punë.
Sasia e madhe e prodhimit ka rritur nevojën për punëtorë. Të gjithë kërkojnë krahë pune, i cili mesa duket ka vënë në vështirësi fermerët. Për të ndihmuar familjen në eksportin e agrumeve po punon edhe ky 15-vjeçar, i cili për 1 javë ka marrë leje nga shkolla për t’u marrë me sistemimin e arkave.
Për kultivuesit e agrumeve ky vit është i mbarë sepse mandarinat po i tregtojnë me 60 deri në 70 lekë për kilogramë, cilësinë e parë. I gjithë prodhimi është i kontraktuar për t’u marrë nga pikat e grumbullimit dhe për t’u eksportuar në shtetet ballkanike.
Duke qenë se zona po bëhet e njohur nga agrumet dhe po merr zhvillim, kërkohet sistemimi i rrugëve. Banorët thonë se kanë investuar privatisht në sistemimin e rrugëve të parcelave, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për asfaltimin e akseve kryesore.
Fshati Hingë është pjesë e bashkisë së Dimalit në qarkun e Beratit. Gjatë 15 viteve të fundit banorët kanë hequr dorë nga mbjellja e tokës me perime, dru frutore dhe vreshta, duke iu përkushtuar vetëm agrumeve. Aktualisht 350 familjet e fshatit kanë mbjellë 250 ha mandarina.
Klan News