Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Numri i kompanive të sigurimeve pritet të dyfishohet. 5 kompani të reja kanë depozituar kërkesat për licencim pranë komisionit të mbikëqyrjes së sigurimeve, njëra prej të cilave ka kapital kosovar.
“Aktualisht pranë komisionit janë paraqitur 5 kërkesa për aplikim për licenca, nga këto tre kompani për sigurimin e jo jetës dhe dy kompani për sigurimin e jetës. Nga 5 kërkesa që kanë bërë këto kompani, një kompani është kosovare, që ka aplikuar për licencimin, pasi ajo ka dhe një aktivitet të tillë në Kosovë, është kompania Dukagjin, gjithashtu kompanitë e tjera janë kompani shqiptare”.
Aktualisht pesë kompani të sigurimeve zhvillojnë aktivitetin e tyre, katër ndër të cilat janë private, ndërsa INSIG ka ende 60% të aksioneve pronë shtetërore. Volumi total i primeve të siguruara gjatë periudhës Janar-Maj të vitit 2004, arriti afro 1.6 miliard lekë, ku sigurimet motorike kanë pësuar një rënie. Konkretisht, afro 30% e makinave në sigurim, nuk kanë paguar ende siguracionin e detyrueshëm motorik./tvklan.al