Dhjetë persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza në orën e parë që supozohej të hynte në fuqi armëpushimi. Të paktën kështu shprehen zëdhënësit nga Agjencia e Mbrojtjes Civile që drejtohet nga Hamasi në Gaza. Kujtojmë se armëpushimi nuk ka hyrë ende në fuqi pasi Izraeli kërkoi listën me emrat e pengjeve që do të kthehen nga Hamasi.
Një zyrtar i Hamasit tha se emrat e pengjeve që do të lirohen sipas marrëveshjes do të dorëzohen në çdo moment po kompleksiteti i shkaktuar në Gaza dhe sulmet e Izraelit kanë shkaktuar vonesat.
Megjithatë ata i kanë dërguar një listë Izraelit, të cilën e kanë publikuar edhe në rrjetet sociale. Në një postim në Telegram, Hamasi bëri publike tre femrat e para që do të lirojë.
Ato janë Doron Steinbrecher, një infermiere 31-vjeçare, Romi Gonen, 24 vjeçe, e cila u përpoq që të largohej nga festivali Supernova dhe Emily Damari, 28 vjeçe, e cila ka nënshtetësi të dyfishtë, britanike dhe izraelite.
Megjithatë siç shkruan BBC, Izraeli vijon të ndërmarrë sulme në Gaza dhe fajëson Hamasin për vonesën e armëpushimit.
Më herët ushtria e Izraelit tha se do të vazhdojë operacionin e saj në Gaza deri sa të hyjë në fuqi armëpushimi.
Kujtojmë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se armëpushimi në Gaza do të shtyhet derisa Hamasi të nxjerrë një listë me pengjet. Nga ana tjetër Hamasi është shprehur se vonesa me publikimin e listës ka ndodhur për “arsye teknike në terren”.
Netanyahu paralajmëroi se faza e parë e marrëveshjes për të ndaluar luftimet në Gaza ishte një “armëpushim i përkohshëm” dhe se Izraeli ka të drejtën të rinisë luftën, me ndihmën e SHBA-së, nëse marrëveshja prishet./tvklan.al