Avokati i Emiljano Shullazit, në një deklaratë publike ka njoftuar se ditën e hënë do të kundërshtojë ekzekutimin e urdhrit që e bën klientin e tij pjesë të regjimit të Posaçëm në Burgjet e Sigurisë së Lartë, të ashtuquajturin Regjimi 41-Bis, që u njoftua dy ditë më parë nga Ministrja e Drejtësisë.
Avokati Vladimir Meçi, shprehet ndër të tjera se ky urdhër është i kundërligjshëm, arbitrar dhe abuziv, pasi sipas tij, Shullazi dhe katër të pandehurit me të, nuk i përmbushin kriteret për të qenë subjekte të ligjit për “41-Bis”.
“Urdhri në fjalë është i paarsyetueshëm dhe i paargumentuar. Arsyet e izolimit të Emiljano Shullazit fshihen pas emërimeve të shkresave, pa u treguar përmbajtja e tyre, pasi siç cilësohet në urdhër ato janë të klasifikuara “sekret””, shprehet Meçi.
Ai thotë se ndër dhjetëra apo qindra të dënuar për krime të rënda edhe si pjesëtarë të grupeve kriminale apo terroriste, është zgjedhur pikërisht klienti i tij, pasi procesi kundër tij ka qenë çështje që ka tërhequr vëmendje publike.
Ai e cilëson këtë vendim si një “mekanizëm propagandistik”, teksa shton se “nuk i mbulon dot zgavrat në Ministrinë e Drejtësisë, as dështimet e të gjitha institucioneve përgjegjëse në luftën kundër krimit të organizuar, as paaftësinë e SPAK”. /tvklan.al