Indrit Tuci ishte një prej yjeve të ndeshjes Shqipëri-Gjeorgji. Menjëherë pas përfundimit, futbollisti pati një lidhje direkte nga Tbilisi me Klan Arena ku ndau emocionet e para. Tuci tregoi si është mirëpritur nga djemtë e tjerë të kombëtares dhe shprehu kënaqësinë që u dhuruan fitore tifozëve.
“E kemi përjetuar shumë mirë. Është ndjenjë e jashtëzakonshme që të mbash fanellën e kombëtares, çunat më kanë pritur shumë mirë që nga dita e parë. Aty e kuptova direkt që jemi një grup shumë i mirë dhe falë Zotit fituam edhe sot sepse na dyshuan tifozët në ndeshjen me Çekinë dhe sot u dhamë një dhuratë të bukur”.
Edmond Kapllani vlerësoi momentet e Tucit gjatë ndeshjes, ndërsa pati edhe pyetjen nëse ai është i gatshëm për të luajtur në formacion titullar. Tuci u përgjigj tërësisht pa hezitim dhe tha se në këtë ndeshje ka qenë shumë i fokusuar në lojën e grupit, duke e përmbyllur me një batutë me Kapllanin.
Indrit Tuci: Unë jam gjithmonë gati sepse para ndeshjes më tha trajneri që mund të luaj dhe e përgatita ndeshjen shumë mirë, e përgatita veten që të fokusohem 100% vetëm tek çfarë mund t’i ndihmoj unë skuadrës sepse ne menduam që ata do të luanin me 5 siç luajnë gjithmonë, por e kishin ndërruar, luanin me 4 dhe aty e pashë që kam më shumë hapësira, duhet ta ndihmoj skuadrën, t’i mbaj topat larg, t’i jap një çikë frymë, mos të tentoj për një takim ose për të bërë lëvizje boshe, por më shumë për ta marrë topin dhe t’i jap frymë ekipit. Është Edmond Kapllani, po? Si lëvizjet e tij në kohën e vet.
Edmond Kapllani: Tuci, faleminderit dhe suksese!
Në fund, për të pati edhe një këshillë nga Erjon Bogdani.
Ejon Bogdani: Tuci, të përgëzoj për ndeshjen që bëre sot. Kjo është një përgjigje që jo vetëm për ty por të për gjithë djemtë e rinj që pretendojnë të vijnë te ekipi kombëtar sepse paraqitja jote sot do ta vërë shumë në vështirësi trajnerin sepse normalisht bëre një ndeshje shumë të mirë dhe unë shpresoj që edhe këto ndeshjet e nëntorit të kesh minuta sepse po shpreh formën tënde më të mirë, sot u shkrive me ekipin, pasove mirë, dhe asistin e golit dhe për mendimin duhet të vazhdosh kështu përpara sepse ke një të ardhme shumë të mirë përpara. Vazhdo kështu! Bravo!/tvklan.al