Në programin “Rudina” ka qenë e ftuar gazetarja Iva Tiço, e cila ka rrëfyer për librin e saj të parë si përkthyese, “Madame Chic”. Një libër i mbushur plot me ngjarje gazmore, këshilla praktike dhe që të mbush me dëshirë që të vlerësosh gjithë gjërat e mira që ke dhe të jetosh bukur.
Tiço tregon se libri ka ndikuar dhe ndryshuar jetën e saj.
“Për disa gjëra unë e gjeta veten dhe thashë unë qenkam “Madam Chic”. Disa të tjera i ndryshova gjatë kohës kur po e përktheja, kryesisht me gjëra që kanë të bëjnë me rregullin e shtëpisë. Kisha qenë pa e ditur franceze, për sa i takon të ushqyerit. Ka një kapitull të rëndësishëm në libër për të ushqyerin dhe unë nuk e dija që isha kaq franceze në ushqim.
Ajo zbuloi dhe sekretin francez të të ushqyerit, si të jesh e hollë duke ngrënë.
“Shumë e thjeshtë, mjafton të hash vaktet e rregullta, në oraret e sakta, në tavolinë asnjëherë me nxitim. Dhe të mos hash kurrë në mes të vakteve, përveç pjesës së ushtrimeve fizike. Këto gjëra unë i kisha në jetë”.
Gjithashtu Tiço është edhe autore e librit “Për vete”. Libri është i guximshëm, thyes tabush, ku shtrohen çështje ekzistenciale të një brezi të tërë, ku ngrihen pyetje, ku ndoshta dhe fshihen pyetje edhe më shqetësuese, por që ndihen se pulsojnë nën shtresën e dukshme, që autorja e ka ndërtuar të tillë, që ne të dimë të depërtojmë poshtë saj.
Në pamje të parë shkrimet mund të duken grimca të jetës së një gruaje të re e single. Personazhet e librit nuk janë vetëm vajzat single, por edhe burrat single. Ata që shkojnë së bashku me to në fundjava, ata të lidhjeve-provë, ata që hiqen besnikë dhe nuk janë, ata që mashtrojnë, gënjejnë, ata që duan thjesht të shtojnë listën e ‘fitoreve’ të tyre./tvklan.al