Stina e dimrit shoqërohet me ardhjen e virozave të ndryshme. Disa lloje të tyre janë të njohura për origjinën dhe të tjera jo. Rastet e njerëzve, të cilët vuajnë nga prekja e virozëve, shtohen dita ditës në qendrat spitalore dhe ambulancat e lagjeve.
Simptomat që shoqëruan më së shumti pacientët në muajin e fundit ishin temperaturë, kollë, rrjedhje hundësh, dhimbje mukujsh apo koke, që përhapen në shpinë dhe gjymtyrë, apo mungesë rezistence. Më së shumti preken fëmijët dhe të moshuarit si kategoritë më të ndjeshme.
Gjatë ditëve të fundit ka patur një fluks në rritje të rasteve me grip në shumë qytete të Shqipërisë. Në Elbasan dhe Lushnje çdo ditë janë regjistruar rreth 40 fëmijë në qendrat pediatrike, por është pikërisht dalja në sipërfaqje e këtyre virozave, e cila sjell edhe një rrezik tjetër.
Të paktën kështu kanë deklaruar mjekët, të cilët i referohen rrezikshmërisë së AH1N1, i njohur ndryshe si gripi i derrit. Por a duhet të trembemi? Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka vend për panik, pasi janë vetëm 20 raste të regjistruar si të prekur dhe situata është nën kontroll.
Në portin e Durrësit inspektorët e shëndetësisë kryejnë vazhdimisht kontrolle për të patur informacion dhe për të dhënë ndihmë sa më të shpejtë tek të prekurit për minimizimin e përhapjes. Kjo gjë ndodh edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar.
Virusi i gripit të derrave përhapet me të njëjtën shpejtësi dhe mënyrë si gripi i zakonshëm. Virusi përhapet nëpërmjet ajrit nga një person në tjetrin gjatë kollitjes dhe teshtitjes së personave të sëmurë me grip.
Me kalimin e viteve virozat kanë pësuar shndërrime, të cilat kanë forma të ndryshme. Të rëndësishme mbeten masat parandaluese, fushatat sensibilizuese, barnat efikase dhe vaksinimi i popullsisë, ndërgjegjësimi i së cilës mbetet jo optimal, duke mos i dhënë rëndësinë e merituar.
Përzierja e viruseve është një rrezik për të cilin flasin shpesh edhe shkencëtarët. Këta të fundit mendojnë se pikërisht një përzierje e tillë virusesh ka ndodhur në vitin 1918 në Spanjë, në vitin 1957 me gripin aziatik dhe në vitin 1968 me gripin e Hong Kongut, të cilat i kanë marrë jetën miliona njerëzve.
Për të diskutuar se cilat janë epidemitë që qarkullojnë gjatë dimrit në Shqipëri dhe se çfarë masash duhet të merren për t’i parandaluar ato, të ftuar në studion e emisionit “Opinion” ishin Tritan Shehu, Silva Bino, Pëllumb Pipero, Liljana Ramasaço, Enea Harxhi dhe Enkelejda Afjani./tvklan.al