Mbrëmjen e kësaj të premteje moderatorja e “X Factor Albania”, Alketa Vejsiu vendosi që për pak minuta ta zhvendoste vëmendjen tjetër kund. “X Factor Albania” është një program i cili promovon çdo vit talentet e rinj dhe për këtë meritën e ka padyshim Televizioni Klan, i cili prej më shumë se dy dekadash prodhon programe të kësaj natyre.
“Keni qenë super aktivë në këtë audicion të ri të “X Factor”. Performon shkëlqyeshëm TikTok-u dhe Instagrami këtë vit. Nuk e di se sa milionë klikime promovohen aty me videot e performanca e të spektaklit që njerëzit shohin, e sidomos me reagimet origjinale që i drejtohen social menaxherët e këtij spektakli, kështu që vazhdoni të na argëtoni. Edhe për publikun dixhital, por dhe për publikun e Televizionit Klan i cili fabrikon talente që rrallë televizione e bëjnë në Shqipëri. Një televizion privat kormecial i cili në 20-vjeçarin e fundit ka prodhuar kaq shumë formate për talentet e rinj, për këtë duhet t’i jemi mirënjohës televizionit, por dhe kohës në të cilën jetojmë”, tha Alketa Vejsiu.
Moderatoja u ndal dhe tek puna kolosale që bëhet mbrapa skenës madhështore të “X Factor”.
“Ne kemi disa sekrete këtu që nuk kemi shumë dëshirë që të na i dinë apo të na i shohin. Këtu është industria e vetme e gjithë ingranazhit, spektaklit që ngre skela, ul skela… që teleshikuesit të shohin përmes ekranit rehat-rehat, tek kolltuku ku janë ulur, spektaklin e të premtes. Është “X Factor Albania”, i cili është ndërtuar nga një personazh shumë i mençur që është Simon Cowell dhe ka gjithë këto vite që mbizotëron në xhunglën e madhe të televizionit botëror, ku shumë pak patenta ia kanë dalë që të rezistojnë. Duke qenë se këtu në qendër janë të rinjtë, talenti, vokali që të fal Zoti ku më pas me punë ti duhet që ta përsosësh. Kjo është një patentë që rrëmben zemrat e njerëzve sepse të gjithë janë ëndërrimtarë dhe të gjithë shohin ëndrrat e tyre dhe thonë se mund të ishim dhe ne këtu, nëse kanë fare pak talent për të kënduar”, shtoi ajo.
Alketa bëri gjithashtu dhe thirrjen e fundit për “X Factor Kids”. Audicionet e fundit të të cilit do të zhvillohen këtë të dielë në orën 10:00 në ambientet e Tv Klan.
“Jemi përpjekur për të sjellë vokalet më të spikatur në audicionet e këtij dhe ditën e dielë kanë shanset e fundit fëmijët e vegjël deri në moshën 12 vjeç të garojnë për një vend si “X Factor Kids”, i cili do të pasojë “X Factor-in” e të rriturve. Kështu që, të dielën në orën 10:00 mos e humbisni këtë shans”, sqaroi Alketa Vejsiu./tvklan.al