Përparimi në fushën teknologjike dhe informacionit nëpërmjet buxhetit të shtetit po jep rezultate në luftën kundër krimit të organizuar.
Garancia për këtë është dhënë nga kreu i Ministrisë se Brendshme, Lulzim Basha, gjatë ceremonisë së dhurimit të disa pajisjeve speciale për njësinë kundër krimit ekonomik, donacion i qeverisë amerikane.
Lulzim Basha: “Donacioni i sotëm do të ndihmojë që forcat e zbatimit të ligjit dhe policia e shtetit të jenë përsëri një hap përpara krimit të organizuar dhe korrupsionit. Forcimi i kapaciteteve teknologjike është një prioritet madhor i qeverisë së kryeministrit Berisha. Brenda dy javësh përfundon instalimi i sistemit të dhënave të analizës së informacionit kriminal MEMEX në të gjitha drejtoritë e qarqeve në Shqipëri.”
Në ceremoni u lançua dhe faza e dytë e projektit për forcimin e kontrollit të kufijve që financohet nga qeveria gjermane.
Ambasadori i Gjermanisë, Borchardt, garantoi asistencën për përmbushjen e kritereve nga vendi ynë, për procesin e liberalizimit të vizave si dhe në menaxhimin e kufijve.
Bernd Borchardt: “Ky është një interes i përbashkët. Gjermania duke qenë se është vetëm 1200 km larg, natyrisht që preket nga krimi i organizuar dhe trafiku ilegal, ashtu siç preket edhe Shqipëria. Prandaj, një bashkëpunim më i afërt dhe më i madh, është i nevojshëm. Progresi në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm është një kusht kryesor për liberalizimin e vizave. Gjatë viteve të fundit ne kemi marrë, shenja optimiste sa i takon përpjekjeve të Shqipërisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut. Ne do të vazhdojmë të fokusohemi në ndërtimin e bashkëpunimit mes institucioneve duke nxitur e thelluar bashkëpunimin mes policisë e doganave, trajnimeve të përbashkëta, shkëmbime informacion e eksperiencave dhe një ndërmarrje e përbashkët e veprimeve.”
Edhe ambasadori amerikan, John Withers, tha se donacionet megjithëse u drejtohen dy grupeve të ndryshme të hetimit policor kanë objekte të njëjta, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit si dhe ndërtimin e çështjeve të forta gjyqësore, duke u siguruar që ato do të ndiqen penalisht me sukses./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani