Siguria publike ishte në fokusin e interpelancës së kërkuar nga deputeti i PD, Ervin Salianji me Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla. Nga foltorja e Parlamentit, Salianji akuzoi Policinë e Shtetit se bashkëpunon me grupet kriminale, teksa sipas tij, vrasje të pazbardhura po shtohen.
Ervin Salianji, deputet i PD: Prej vitesh situata e kriminalitetit në Shqipëri është e rëndë. Kriminelë të shpallur në kërkim gjejnë njëri-tjetrin, madje kapin përveç vetes edhe policë dhe drejtues të saj, ndërkohë që policia kthehet në gjuetare të kriminelëve në llogari të bandave rivale në qytete të ndryshme.
Në përgjigje të deklaratave dhe pyetjeve të deputetit demokrat, ministri Balla bëri një bilancë të punës së policisë së shtetit gjatë vitit 2023.
Taulant Balla, Ministri i Brendshëm: Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike zoti deputet, është prioritet i kësaj qeverie. Viti 2023 shënoi edhe nivelin më të ulët të vrasjeve kriminale në Shqipëri. Shqipëria ka edhe uljen më të lartë të nivelit të kriminalitetit krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor por edhe krahasuar me vende të tjera të Bashkimit Europian.
Deputeti citoi raportin e SPAK, i cili sipas Salianjit tregon se Policia nuk ka arrestuar drejtuesit e vërtetë të grupeve kriminale të cilët trafikojnë sasi të mëdha droge.
Ervin Salianji, deputet i PD: Në asnjë rast, as më përpara dhe as tani nuk kemi kapjen e personave që i drejtojnë këto organizata kriminale.
Balla dhe Salianji u përplasën edhe për sasinë e kultivimit të lëndëve narkotike në vendin tonë, duke u kthyer edhe në qeverinë e PD para disa viteve.
Taulant Balla, Ministri i Brendshëm: Lënda narkotike e prodhuar në Lazarat ishte dy herë me e madhe sesa gjitha buxheti i shtetit kur ju ishit në qeveri.
Ervin Salianji, deputet i PD: Përmendi Lazaratin sikur të jetë territori i Afrikës, ju e kanabizuat gjithë Shqipërinë.
Edhe emërimet e drejtuesve të policisë ishte një tjetër pikë përplasje mes Salinjit dhe Ballës.
Taulant Balla, Ministri i Brendshëm: Ku janë drejtues në kohën e Partisë Demokratike janë në te çiftelia, kur janë të Partia Socialiste i bien çiftelisë mirë.
Ervin Salianji, deputet i PD: Emërimet në Policinë e Shtetit me përjashtim të Drejtorit të Përgjithshëm, të gjitha emërimet e tjera janë detyrë e Drejtorit të Përgjithshëm. Drejtuesit jo vetëm Drejtori i Përgjithshëm apo drejtues të departamentit edhe drejtuesit e drejtorive vendore ka ardhur koha për të pasur një mandat, mund të jenë 3-vjeçar, mund të jetë 4-vjeçar siç i kanë vendet e tjera.
Ministri i Brendshëm tha se synimi tij është kthimi i Policisë së Shtetit në institucionin më të besuar në Shqipëri.
Klan News