Lajme Arkiva 2003

Shtëpitë e para në Bathore janë ngritur në vitin 1991 nga një grup familjesh të ardhura nga Kukësi. Kjo tokë më parë mbillej me bathë prej nga ka marrë edhe emrin Bathore. Në atë kohë pronë shtetërore, fusha njihej si tokë bujqësore dhe familjarët të cilët shtoheshin çdo ditë nga zonat veri-lindore të Shqipërisë zunë në mënyrë të paligjshme nga një copë tokë dhe  ndërtuan shtëpitë.

Në vitin 1994 qeveria e atëhershme ndryshoi destinacionin nga tokë bujqësore në tokë urbane për një sipërfaqe të vogël të fushës, gjithsej 3 lagje nga 7 që janë sot duke i hapur dritën jeshile disa prej ndërtesave të kishin mundësinë e legalizimit.

Edhe sot pasi kanë kaluar 9 vjet dhe komuniteti i të ardhurve ka shkuar në rreth 40.000 banorë 4 lagje kanë mbetur ende të papërcaktuara pasi toka në të cilën ngrihen ndërtimet është ende e njohur si tokë bujqësore një pjesë të secilës i kanë dalë edhe pronarët.

Dy vjet më parë gjatë fushatës elektorale qeveria socialiste vendosi të legalizonte 5 zona në kryeqytet me ndërtime të paligjshme, përfshirë edhe Bathoren. Drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste premtuan.

Ilir Meta: Kemi filluar procesin e legalizimit që përpara disa ditësh me vendimin e qeverisë që fillon me Bashkinë e Tiranës dhe vazhdon me të gjitha zonat ku ka nevojë që shtëpitë dhe prona juaj të legalizohet. Po kështu çdo ditë qeveria do të kalojë edhe projektligjin që do të zgjidhtë të gjitha problemet që kanë të bëjnë me legalizimin .

Fatos Nano: Ne do të vazhdojmë punën serioze për të bërë realitet statusin tuaj të kryeqytetasit. Pra nuk e kemi në programin tonë politik dhe nuk na lejon kush që  t’ju trajtojmë me mëshirë apo t’ju lëmë në mëshirë të fatit, prandaj nuk kemi lejuar asnjëherë që nga radhët tona dikush t’ju përdorë si lëndë të parë mitingjesh apo si subjekte që nuk kuptoni nga jetë demokratike siç bëri Saliu me regjimin e vetë.

Por këto premtime mbetën të tilla ashtu siç parashikuan edhe vetë banorët e Bathores.

Banor: Kjo e legalizimit të banesave në Bathore nuk është thjeshtë një çështje politike dhe për këto zgjedhjet e tanishme dhe këto përveçse premtime dhe gjëra koti për mendimin tonë dhe vetëm për fushatë.

Banor: Si rregull i paragjykojmë gjërat, kështu që edhe në këtë rast mund të paragjykohet duke qenë se përkon me fushatën e zgjedhjeve por personalisht nuk e shikoj të lidhur me këtë.

Banor: Mendoj se është mendim personal i kryeministrit do të doja të ishte  mendim qeveritar.

Banore: Është i shkëlqyer por sa do bëhet, presim shumë nga qeveria nga pushtetarët këtu që u kemi dhënë votat. Për Bathoren asgjë nuk mendohet, as ujë i pijshëm as kanalizime as rrugë. Domethënë sistemimi i zonës që të bëhet tamam lagje e qytetit.

22 muaj nga këto premtime kërkesat e banorëve kanë, mbetur po ato. I kërkojnë qeverisë legalizimin e shtëpive të tyre të mbetura pa leje, të ndryshohet me ligj destinacioni i tokës ku kanë ngritur shtëpitë nga tokë bujqësore ku ligji nuk lejon ndërtimet në tokë urbane ku ato janë të lejueshme. Kërkesat e tjera për kushtet më të domosdoshme të jetesës banorët e 4 lagjeve në Bathore kërkojnë ndërtimin e rrugëve, ujësjellësit rrjetit elektrik, shkollave dhe spitalit./tvklan.al