Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha se gjatë javës së fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të reja. Ajo u shpreh se incidenca një javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë.

“Këtë javë vërejmë një rritje të numrit të rasteve, një rritje të incidencës. Incidenca javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë. Duket një rritje drastike, një rritje e rëndësishme pasi një javë përpara ishte nën 200”, tha Bino.

Sipas ekspertes, rritja më e madhe e rasteve vërehet në Tiranë.

“Rritja më e madhe, vihet re në Tiranë, por edhe në qytete të tjera si në Durrës dhe Fier. Incidenca më e lartë vihet re në Bashkinë e Sarandës”.

Tashmë rastet nuk po rriten vetëm tek grupmoshat e reja, por edhe tek ato të vjetra.

“Vihet re rritje jo vetëm në grupmoshën e re. Aktualisht vërejmë rritje të rasteve në të gjitha grupmoshat, jo vetëm të reja, por edhe të vjetra. Tregon që kemi një rritje pas festave”, tha Bino.

Ndërkohë, shefja e spitalit Infektiv, Najada Çomo, tha se është rritur numri i personave të shtruar në spital. Çomo bëri thirrje që të mbahet maska dhe të respektohet distanca fizike.

“Është parë një shtim i rasteve të personave të infektuar. Natyrisht një shtim i numrit të personave të sëmurë, dhe padiskutim kjo pasqyrohet dhe në shtimin e personave të shtruar në spital ku sigurisht dihet që të shtruarit nëpër spitale janë pacientët në formën mbi atë të moderuar dhe patjetër forma e rëndë ose forma kritike”.

Çomo tha se grupmosha më e prekur e shtruar është fasha 50-60 vjeçare, por ka shtrime dhe në mosha më të reja.

“Informacioni që dua t’iu jap është që kemi persona të gjithë moshave të shtruar në spitale ku fillon nga mosha 30 vjeçare deri në moshën 90-vjeçare dhe fasha më e prekur e shtruar në spital është ajo 50-60 vjeçare. Ajo çka dua të them është që edhe personat që janë në moshë të re që janë të shtruar nëpër spitale paraqesin forma të rënduara të shëndetit të tyre”, tha Çomo

/tvklan.al