Instituti i Shëndetit Publik do të ketë një korpus të ri të laboratorëve të referencës në mjedise të transformuara dhe kushte bashkëkohore për të garantuar cilësinë dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, ka inspektuar sot ecurinë e punimeve për ndërtimin e njësisë së re të laboratorëve të ISHP-së, investim i qeverisë dhe MSHMS-së.
Ministrja Koçiu tha se në një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 3000 m2, do të sistemohen të gjithë laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik.
”Laboratorët e referencës do të vendosen këtu me kushte tashmë krejtësisht bashkëkohore. Përveç infrastrukturës, do të sigurohemi që të kemi edhe një sërë laboratorësh të rëndësishëm të cilët kanë mbajtur dhe do të mbajnë peshë të jashtëzakonshme ku ISHP dhe ekspertët punojnë vazhdimisht për të garantuar cilësinë e shëndetit ndaj qytetareve”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja pohoi se “brenda vitit 2025 kemi parashikuar që të gjithë laboratorët e ISHP-së të vendosen në kushte bashkëkohore dhe të ndara nga administrata duke mundësuar ambient tjetër të rinovuar dhe të përshtatshëm për të gjithë punonjësit”.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë, Koçiu foli edhe për situatën e krijuar nga sëmundjet virale, lia e majmunit dhe ethet e Nilit. “Situatën e kemi absolutisht nën kontroll pasi janë marrë të gjitha masat edhe nga ISHP. Por edhe sa i përket lisë së majmunit, ne nuk jemi prekur as si vend, as rajoni. Nuk kemi patur asnjë rast”, deklaroi Koçiu.
Ministrja apeloi se për situatën e krijuar nga ethet e Nilit është shumë i rëndësishëm koordinimi me pushtetin vendor, veçanërisht në qytetet ku janë identifikuar rastet.
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini bëri me dije se “laboratori i virologjisë për sëmundjet emergjente ka ngritur kapacitetet akoma më shumë në drejtim të diagnozës laboratorike për linë e majmunit si dhe të kapaciteteve të vaksinimit ku janë siguruar 100 vaksina të rasteve primare, kontakteve të tyre dhe pastaj për të vijuar me grupet e riskut”.
Shefja e Njësisë së Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino pohoi se kanë forcuar të gjitha masat e kontrollit duke vijuar investigimin entomologjik në bashkëpunim me bashkitë. Ajo theksoi se “në zonat bregdetare ne nuk kemi pasur raste si rezultat edhe i programit të dezinfektimit”.
Me përfundimin e korpusit të ri, të gjithë laboratorët e godinës qendrore të ISHP-së do të zhvendosen në ambientet moderne për të siguruar një përgjigje sa më efektive për shëndetin publik, me një nivel më të lartë, bashkëkohor e në kohë të diagnozës laboratorike./tvklan.al