Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Bora ka vështirësuar dhe bllokuar disa nga akset rrugore të veriut të vendit, ndërsa në tre ditët që pasojnë priten të tjera reshje. Sipas Ministrisë së Rendit, rruga nacionale Fushë Arrëz-Kukës vazhdon të mbetet e bllokuar në Qafën e Malit. Të bllokuara qëndrojnë dhe rrugët që lidhin qytetin e Kukësit me rrethin e Hasit, Tropojës dhe Peshkopisë.

Në Prefekturën e Shkodrës janë disa fshatra të izoluara nga bora, që ka kaluar trashësinë e një metër dhe ngricat. Në Dibër është plotësisht e kalueshme rruga deri në Burrel, e më pas për në Bulqizë. Ndërsa aksi Peshkopi-Bulqizë, përbën vështirësi dhe mund të kalohet vetëm me automjete të pajisura me zinxhirë.

Ministria e Rendit ka njoftuar, se tashmë nuk përbën më problem kalimi në rrethin e Korçës dhe Librazhdit, ndërsa policia rrugore në rrethe është në gjendje gatishmërie e bashkëpunimi me struktura të tjera të rendit, apo pushtetit lokal për mirëmbajtjen e rrugëve. Ndërkohë me urdhër të Ministrisë së Pushtetit Lokal, prefekturat  e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit, kanë ngritur shtabet e emergjencës për përballimin e vështirësive të krijuara në ujësjellës, elektrik dhe mirëmbajtje rrugësh.

Erërat e forta dhe deti me dallgë, kanë bllokuar punën në portin e Durrësit, si dhe kanë ndërprerë lëvizjen e anijeve të mallrave, forca e erës ka arritur deri në 7 ballë ndërsa shiu ka rënë për orë të tëra pa ndërprerje. Kushtet klimatike, kanë shkaktuar dhe vonesa të trageteve të linjës. Anijet e mallrave të përpunuara në port, nuk mund të përpunohen në kushte të tilla./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj