Kryeministri i vendit, Edi Rama ka marrë pjesë pasditen e sotme në përurimin e “Vila 31 x Art Explora” si rezidencë artistike. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka dhënë lajmin se në muajin Prill të këtij viti do të kemi në Portin e Durrësit muzeun e parë lundrues që do të qëndrojë në vend për 10 ditë.

Edi Rama: Në Prill do të kemi fatin që të kemi këtu muzeun e parë lundrues që do të qëndrojë për 10 ditë në Portin e Durrësit duke bërë të gjithë Unazën e Mesdheut dhe pastaj, vitet e tjera do të sjellim të tjera të reja. Këtu në këtë shtëpi për shumë vite ka jetuar një njeri që funksiononte vetëm me urdhra, unë kam një urdhër për një duartrokitje për arkitektët për të gjithë punën e jashtëzakonshme që kanë bërë.

Për këtë muze ka folur dhe ambasadorja e Francës, Catherine Suard, cila është shprehur se kjo anije muze e fondacionit “Art Explora” në Portin e Durrësit do të përbëjë një moment të mirë të sezonit turistik.

Ambasadorja franceze, Chatherine Suard: Dinamikën do ta përforcojmë drejt 2025 duke pasur në sfond emërimin e Tiranës si Qyteti Mesdhetar i Kulturës. Do të mbërrijë së shpejti një anije muze e fondacionit “Art Explora” në Portin e Durrësit në muajin Prill e përzgjedhur në 20 qytete si etapë e pellgut të Mesdheut dhe kjo do të përbëjë një moment shumë të fortë të sezonit turistik. Kjo anije lundruese mëshiron një vizion novator dhe bujar të ndarjes së artit, vizion që Franca pëlqen ta kultivojë dhe ta ndajë.

/tvklan.al