Situata e përmbytjeve shfaqet më e rënduar në jug të vendit. Si rrjedhojë e daljes nga shtrati i lumit Osum dhe degëve të tij në fshatin Seitaj të rrethit Skrapar janë përmbytur 40 familje të cilat janë evakuuar nga forcat e policisë. Edhe në rrugën Berat-Skrapar ka patur grumbullim të mbeturinave inerte që vështirësojnë kalimin në këtë rrugë.

Rruga Berat-Çorovodë është bërë e pakalueshme pasi është prishur ura e Bogovës e cila është i vetmi kalim për këtë zonë. Ndërkohë që në lum ka mbetur një person me eskavatore, është kërkuar ndihma e ushtrisë për ta shpëtuar me helikopterë.

Shtabet e emergjencës kanë dhënë ndihmat e tyre ndërkohë që po kërkohet ndihmë nga shoqata për ushqim dhe batanije sepse rezervat e shtetit nuk kanë gjendje ndërkohë që duhet edhe ndihma e ushtrisë.

Përmbytje ka pasur edhe në qytetin e Fierit, ku për pasojë të reshjeve të shiut ka dalë nga shtrati lumi Gjanicë, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në zonat përreth. Janë përmbytur rreth 150 shtëpi, 10 lokale, ndërsa dëmi material deri tani, nga përmbytja që ka përfshirë tregun industrial të qytetit llogaritet në 60.000.000 Lekë të reja./tvklan.al