Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Temperaturat e ulëta nuk kanë përbërë problem aq sa rrugët e bllokuara nga shirat. Tirana dhe Lezha kanë shënuar sasinë më të madhe të rënies së reshjeve gjatë dy ditëve. Sipas të dhënave nga qendra operacionale e emergjencave shirat e ditëve të fundit, nuk kanë shkaktuar përmbytje e probleme që kërkojnë ndërhyrje të mëdha.

Në Tiranë janë larguar menjëherë ujërat e bodrumeve në tre familje. Rritja e nivelit të ujërave nëpër rrugët e qytetit të Durrësit është eliminuar pa probleme. Në qytetin e Lushnjes si pasojë e reshjeve të furishme ka dalë nga shtrati përroi i qytetit duke rrezikuar disa shtëpi, por që situata është normalizuar falë ndërhyrjes së forcave të mirëmbajtjes të kanalizimeve të bashkisë së qytetit.

Sipas të dhënave mësohet se vështirësi në qarkullim ka pasur në segmentin e Qafë Krrabës, në aksin Elbasan – Librazhd, në segmentin Qafë Thanë ku ka pasur rënie gurësh dhe rrëshqitje dheu. Ndërsa pamjet nga Gjirokastra flasin për vështirësi në qarkullim brenda në qytet./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti