Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës gjatë inspektimeve që ka kryer në institucionet e vuajtjes së dënimit vitin e shkuar në Shqipëri, ka konstatuar mbipopullim të burgjeve si dhe një numër jo normal të personave që janë në paraburgim në pritje të përfundimit të gjykimit.
Ky shqetësim është ngritur nga Avokatja e Popullit në raportin vjetor prezantuar përpara Komisionit të Ligjeve.
Deputetët, kryesisht ata të opozitës, ngrenë një tjetër shqetësim sa i takon pushtetit edhe përtej ligjit që kanë marrë sipas tyre disa prokurorë, çka për ta krijon precedent të rrezikshëm për të dënuar zëra kundër në çdo nivel të shoqërisë.
Erinda Ballanca, Avokatja e Popullit në detyrë, më tepër se tek organi i akuzës problemin e sheh tek gjyqësori.
“Unë problemin më të madh e shikoj te gjykata që merr vendime edhe përtej asaj që kërkon prokuroria”.
Mes shumë shqetësimesh që Avokatja e Popullit ngriti në raportimin e saj, ishte dhe fakti se e-Albania është e vetmja platformë ku merren shërbimet publike.
Sipas saj, duhet të ketë dhe forma të tjera në mënyrë që qytetarët të kenë alternativë tjetër nëse ka mosfunksionim të portalit qe administrohet nga AKSHI.
Tv Klan