Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Banorët e Unazës së Re kanë toleruar sot për shkak të ndeshjes e nuk e kanë bllokuar rrugën, për të protestuar ndaj prishjes së ndërtimeve të tyre. Zgjerimi i Unazës së Re ka nxjerrë në pah probleme të vjetra përsa i përket truallit të zënë nga të ardhurit. Pas prononcimit të kryetarit të bashkisë, se nuk do të tolerojë asnjë metër katror që prek urbanizimet, banorët janë irrituar edhe më.

Banori 1: “Na nuk jena në Paris, kjo nuk është në mes Tiranë, kjo është një rrugë dytësore, unazë, e cila leton qarkullimin e automjeteve. Kështu që 16 metra është e mjaftueshme, me lulishte, me ndriçim në mes është e mjaftueshme.”

Banori 2: “Jemi njofur fillimisht me masën që kanë vu në fillim, atë të bashkisë policët e bashkisë, na kanë thënë, kjo do të shkojë 17 metra. Atëherë ca kapi 17 metërshi, ca i spostuan vetë, ca i prishi. Erdhën më vonë thanë 22 metra dhe unë si i zoti i këtij dyqani këtu vendosa që ta çojë 22 metra e prisha vetë, pagujta dhe fadromën vetë për ta prishur. Ata erdhën dje po të policisë bashkiake dhe thanë, që nuk duhet 22 duhet 25, do ikësh akoma.”

Forcat speciale kanë qëndruar në këtë zonë dhe policia ka patrulluar për çdo incident të mundshëm. Fadromat në pjesën e parë të ditës nuk ka ndërhyrë për prishje të reja. Faza e parë e tyre ka shkuar deri tek bizneset anës rrugëve, por ende nuk është i qartë zgjerimi dhe se çfarë tjetër do të fshihet nga fadroa./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti