Zjarri që ra para disa ditësh në Mal Shëngjin, këtë të hënë doli jashtë kontrollit dhe zbriti poshtë deri në qytet, duke djegur pjesërisht disa banesa dhe duke rrezikuar edhe shumë biznese.
Situata u përkeqësua pak pas mesditës teksa flakët të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë dogjën pyllin me pisha dhe iu afrua bizneseve hoteliere në zonën e Ranës së Hedhun.
Flakët përfshinë edhe çadrat e shezllonët, ndërsa bizneset nxituan të largojnë pajisjet e tjera për të minimizuar dëmin.
Pavarësisht angazhimit të 40 mjeteve zjarrfikëse dhe 150 forcave operacionale zjarri nga toka dhe të helikopterit Cougar nga ajri, në orët e pasdites situata u bë edhe më dramatike.
Flakët dolën tërësisht jashtë kontrollit dhe u futën në zonën e banuar në lagjen pranë portit, ndërsa autoritet bënë evakuimin e banorëve më të rrezikuar.
Ato dogjën pjesërisht disa shtëpi, ndërsa forcat zjarrfikëse duket se u dorëzuan përballë kësaj situate.
Në ndihmë të forcave shqiptare mbërritën dy avionë zjarrfikës nga Italia, të cilët iu bashkuan përpjekjeve të helikopterit Cougar duke hedhur ujë nga ajri.
Ministri i Brendshëm në largim, Taulant Balla, teksa vizitoi për herë të dytë Shëngjinin, tha se ishte kërkuar ndihmë tjetër nga jashtë.
“Jemi në kontakt edhe me mekanizmin europian ku presin edhe aty forca të tjera mbështetëse kryesisht nga ajri. Ministri i Mbrojtjes është në kontakt me KFOR-in për të sjellë mundësinë e helikopterëve të KFOR-it”, tha Balla.
Ndonëse situata u qetësua disi në orët e mbrëmjes, banorët ishin të shqetësuar për rrezikun që iu kanosej sërish.
“Frikë kemi, shihe malin vetë, flaka se si është”, tha një banor.
“Në shtëpi ishim, u fikën dritat. Këtu ishte tymi dynjasë”, tha një banore.
“Tre katër pisha dhe vjen zjarri në banesë. Këtu është jeta që deri kur të vijë situata që nuk e përballoj dot, jam i detyruar të rri”, tha një tjetër.
Si pasojë e zjarrit të rënë disa lagje në Shëngjin kanë mbetur pa drita dhe pa uji.
Tv Klan