Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj ngre alarmin për zjarrin e rënë këtë të shtunë në malin e Rrencit në Shëngjin. Në një reagim në rrjetet sociale ai thotë se zjarri po merr përmasa dramatike dhe apelon për ndërhyrje urgjente.

“Zjarri në Malin e Rrencit e të Shëngjinit po merr përmasa dramatike. Flakët dhe tymi janë kudo rreth qytetit si rrezik real i çastit, por edhe pak më afatgjatë për shëndetin! Deri tani përpjekjet për ta shuar kanë qenë modeste. Duhet ndërhyrje urgjente jo vetëm nga pushteti lokal, por nga qeveria qendrore me çdo mjet, mundësisht me helikopter nga ajri”, shprehet Gjekmarkaj.

Gazetari Martin Marku raportoi më herët se zjarri po përhapej me shpejtësi, i favorizuar edhe nga era e fortë. Si shkak i zjarrit bëhet me dije se janë të rrezikuar edhe disa banesa që ndodhen në malin në afërsi të portit të Shëngjinit.

Mjetet zjarrfikëse e kanë të pa mundur të futen si shkak i terrenit të vështirë. Sipas gazetarit, punonjësit zjarrfikës janë vendosur në afërsi të banesave që të mos rrezikohet jeta e banorëve./tvklan.al