Prej së henës, zjarri në Shëngjin ka avancuar drejt zonës së Ranës Hedhur, në afërsi të banesave. Forcat zjarrfikëse dhe punonjësit e policisë evakuuan menjëherë banorët pranë banesave dhe pushuesit që ishin në resortet pranë Ranës së Hedhur. Vatra e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin, cilësohet jashtë kontrollit, përhapja e flakëve është favorizuar dhe nga era. Kjo e fundit ka ndikuar jo pak dhe në krijimin e vatrave të reja.
Për shuarjen e tyre janë angazhuar dhe forcat e armatosura me helikopter nga ajri. Për të parë nga afër situatën e krijuar, në Shëngjin ishte këtë të martë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se për shuarjen e zjarrit, është angazhuar e gjithë flota e shërbimeve zjarrfikëse në vend.
“Po bëjnë një punë të shkëlqyer me helikopterin, ju nxis të vazhdoni me këtë intensitet për ta përmbyllur me sukses përballjen me këtë situatë tepër të vështirë, e cila vazhdon. Na duhet të mirë-administrojmë forcat sepse e vërteta është që kemi dhe plot zjarre të tjera në zona të caktuar. Kemi sjellë këtu forca nga Berati, nga Fieri natyrshëm Tirana, Kamza apo bashkitë fqinje me bashkinë Lezhë dhe na duhet që ta vendosim tërësisht në kontroll gjatë ditës së sotme për të qenë të përgatitur për situata të tjera dhe më të vështira”, deklaroi Balla.
Detaje për këtë operacion, dha dhe Drejtori i Përgjithshëm Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara.
“Jemi dislokuar këtu në zonën e Shëngjinit për të shuar vatrën e zjarrit ku kemi angazhuar dhe disa bashki duke filluar nga Tirana, Kamza, Fieri, Berati, Lushnja, Mirdita, Vau Dejës, Shkodra, pra më shumë se 20 automjete zjarrfikëse dhe më shumë se 80 forca operacinale të MZSH mbështetur nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit, 2 automjete të zjarrfikëseve të ushtrisë, por dhe forca të tjera nga organizata të tjera ligjzbatuese ku kanë punuar përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit për të lokalizuar vatrën e zjarrit këtu në zonën e Shëngjinit, siç edhe ju e shikoni vatra është akoma aktive, por një pjesë e mirë e vatrës së zjarrit është lokalizuar nga forcat operacinale ku kanë punuar përgjatë gjithë natës e theksoj me një intensitet shumë të lartë.”
Por zjarri në Shëngjin nuk është i vetmi që ka vënë në lëvizje autoritetet. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se në 24 orët janë shuar 13 vatra zjarri nga 20 të evidentuara në në gjithë vendin.
Ndërkohë sa i takon vatrave të regjistruara, policia e shtetit ka vënë në pranga një 64-vjeçar, i cili dyshohet se është autor i zjarrvënies së qëllimshme të një sipërfaqe toke në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Tv Klan