Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Situata e rënduar e rendit dhe vënia në qendër të akuzave e punës së dobët të policisë, ka sjellë si reagim të dikasterit blu, disa konferenca të njëpasnjëshme shtypi. Kështu pas drejtorit të policisë së Tiranës, ka qenë radha e drejtorit të policisë kriminale në ministri, Sokol Bizhga të dalë përpara gazetarëve.
Ashtu si dhe Ndreu, Bizhga ka nxjerrë shifra dhe të dhëna për të evidentuar vetëm arritjet e uniformave blu. Shqetësimet e opinionit publik, si dhe zërat e shtuar për dorëheqje, Ministri i Rendit Luan Rama, ka mundur t’i neutralizojë nëpërmjet kësaj parade suksesesh, të servirura nga vartësit e tij. Kështu Bizhga ka treguar se:
Sokol Bizhga:- “Organizimi i punës për arrestimin e personave të kërkuar, sa më i shpejtë që është bërë, ashtu kanë qenë dhe rezultatet. Synimi është bërë për kapjen e autorëve të vrasjeve, të krimeve të rënda të kryera dhe kapja e tyre menjëherë pas kryerjes së krimit, por edhe vazhdimi i veprimtarisë së policisë edhe kur ata janë larguar për një kohë të caktuar. Numri i personave të arrestuar në këto tre muaj është 20% më i madh se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
Por kreu i policisë kriminale ka lënë pa përgjigje pyetjet e shumta të gazetarëve lidhur me vrasjet e bujshme, autorët e të cilëve nuk janë zbuluar ende, apo nuk janë arrestuar. Pyetjet për rastet e Mirit të Xhikes, Sali Tivarit, Florian Vilës, Gani Malushit dhe së fundmi Arben Pojanit, drejtori i policisë i ka cilësuar jashtë teme.
Sokol Bizhga:- “Dhe njëherë le t’i përmbahemi tematikës për të cilën ne po diskutojmë. Ato le t’i përkasin një konference tjetër shtypi, ndoshta mund të jem unë, mund të jetë drejtori i përgjithshëm i policisë, apo njerëz të tjerë”.
Bizhga ka mbyllur këtë konferencë për shtyp, duke evituar marrjen përsipër të përgjegjësive për gjendjen e krijuar. Ministria e Rendit, po konfirmon kështu, se e vetmja gjë që ndihet e aftë të bëjë në këtë situatë është ndjekja e një skeme të njohur, “fol për sukseset, kur je më keq se kurrë”./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka