Një ditë pas përmbytjeve të mëdha në zonën veriore vetëm situata meteorologjike paraqitet e qetë ndërsa problem mbetet strehimi i banorëve të evakuuar nga përmbytja. Rruga kryesore hyrëse për në qytetin e Lezhës është e pakalueshme. Nivelin e ujit në këtë segment e pohon edhe ky banor.
Gazetarja: Deri ku ju arriti uji?
Banor: Deri këtu. Po isha me biçikletë se isha me biçikletë. Më patë edhe vetë ju.
Për kalim përdoret rruga e vjetër, gjatë paradites ka pasur varg makinash, pasi forcat e ushtrisë janë duke hapur rrugën e dalë jashtë funksionit. Dherat dhe gurët e rënë nga mali kanë bllokuar shumicën e zonave në komunën Fush-kuqe, Milot, Zejmen, Shën Kollë, Balladre e Shëngjin.
Gjatë ditës së sotme është vënë re dhe dalja nga shtrati i lumenjve Gjadër dhe Droje. Banorët e qytetit të Lezhës kanë arritur të furnizohen me energji gjatë paradites së sotme. Forcat e shtabit të emergjencës kanë arritur të thithin shumicën e ujit në nënstacion dhe të zhbllokojnë kanalin kullues.
“Ne po marrim të gjitha masat që të hapet kanali kullues, këtu bashke me ne janë të gjitha forcat e logjistikës së ushtrisë, forcat e ujërave dhe gjithë shtabi i rrethit. Ne do të marrim të gjitha masat që kanali kullues i nënstacionit të hapet. Me hapjen e këtij edhe nëse do të bien shira më vonë nuk ka ndonjë rrezik për nënstacionin dhe qyteti i Lezhës do të ketë energji elektrike”.
Ndërkohë vërehen mungesa të bukës dhe ushqimeve të tjera për familjet e përmbytura.
Gazetarja: Këtu jemi mund të themi në një nga lagjet më të përmbytura të qytetit të Lezhës, pikërisht quhet lagja “Besëlidhja”. Pallatet por edhe katet e para të tyre janë tërësisht jashtë funksionimit dhe jashtë banimit. Këtu jemi në oborrin e njërës prej familjeve të përmbytura të Lezhës. Pikërisht në familjen e Gëzim Manushit. Nëse këmbët e mia i shikoni në këtë nivel uji, dje niveli i ujit ka qenë shumë herë më i lartë se kaq.
Një pjesë janë strehuar te të afërmit, të tjerë janë vendosur në Pallatin e Kulturës Lezhë ndërkohë që shkollat nuk funksionojnë.
Banorja 1: Natën e kemi kaluar këtu. Fëmijët janë pa ujë e pa ngrënë.
Banorja 1: Këtu ka mbaruar çdo gjë. Të gjitha orenditë që kam pasur me ato mundësi financiare që unë kam pasur kanë dalë të gjitha jashtë përdorimit. Plus edhe si banesë është jashtë përdorimit komplet se uji ka arritur mbi gjysmë metri lartësi. Ky ujë erdhi i menjëhershëm dhe ne s’mund të merrnim asnjë masë sepse nuk na ka ndodhur asnjë vit tjetër se kemi 8 vite që banojmë këtu.
Banorja 3: Jemi pa bukë, s’kemi ku të shkojmë të strehohemi, shpinë e kemi po s’kemi gjërat, janë lagur të gjitha.
Në shkallë qarku familje të përmbytura janë 7000 vetë. Në rrethin e Lezhës 4500, në Kurbin 2200 familje dhe në Mirditë 300 familje. Gjithashtu janë përmbytur në shkallë qarku 22500 hektarë tokë me kultura të ndryshme.
Për përballimin situatës momentalisht kërkohen:
“Bukë 25000 copë të cilat janë siguruar nga qeveria dhe po vijnë gjatë ditës së sotme, ushqime 250 ton për të cilat janë ofruar ndihma nga Kryqi i Kuq, Caritas dhe autoritetet kishtare të Lezhës. Batanije 20.000 copë për të cilat janë ofruar ndihma nga rezervat e shtetit, Kryqi i Kuq./tvklan.al