Lajme Arkiva -TV Klan 2004

Përmbytjet nga reshjet pushtojnë sërish veriun e vendit. Shkodra, Lezha, Kurbini e Kruja për shkak të shirave dhe borës së rënë në ditët e fundit. Hidrovoret në këto rrethe nuk kanë funksionuar dhe për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Kështu në Lezhë janë përmbytur mbi qindra hektarë tokë në Zejmen, Sadrinë, Tororvicë, e Shëngjin.

Në Gurëz të Kurbinit katër familje kanë mbetur pa çati mbi kokë, pasi reshjet e 24 orëve të fundit, kanë përmbytur shtëpitë e tyre që ndodheshin fare afër argjinaturës. Në Mamurras një shtëpi është shembur, si pasojë e rrëshqitjes së dheut, ku ka mbetur e plagosur dhe një vajzë 18 vjeçe.

Situatë mjaft problematike është edhe në disa fshatra të tjera në Lezhë dhe në Shkodër. Mjaft familje pritet të evakuohen nga Vigu dhe Minella, pasi shtëpitë e përmbytura janë bërë të pabanueshme. Përmbytje masive janë shkaktuar edhe në rrethin e Krujës. Në këtë rreth janë përmbytur me qindra hektarë në zonën fushore.

Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përfshirë komunën e Kodër Thumanës dhe atë të Bubqit. Specialistë të bujqësisë në Krujë, si dhe të ndërmarrjes së ujërave po evidentojnë dëmet e shkaktuara për të marrë masa për të mbajtur në eficencë hidrovoret, si dhe furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të pompave të ujit./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj