Vlerëson refomat e bëra nga Shqipëria, nënvizon mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe do i japë vendit tonë në procesin e integrimit, por ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në krah të Ditmir Bushatit, thotë se Qershorin e vitit të ardhshëm nuk do të ketë hapje automatike të negociatave.
Vendet skeptike sipas tij duhet të binden se Shqipëria e meriton këtë vendimarrje siç e tregoi me reformën në drejtësi e gjithëpranuar si e suksesshme.
“Shqipëria mund të jetë krenare. Në të njëjtën kohë sikur e dinë shtetet anëtare të BE kanë bërë të qartë që Qershori i 2019 nuk do të jetë një automatizëm përsa i përket nisjes apo çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Kriteret janë të qarta, të ekzistojnë hapa apo rezultate të tjera përsa i përket reformave. Në mënyrë të tillë që të bindim të gjithë ata që janë skeptik përsa i përket këtij procesi, bëhet fjalë më shumë për konsolidimin e shtetit ligjor apo pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Jam optimist që do ecim përpara në këtë rrugë”.
Por veç kritereve që permend kryediplomati gjerman, a rrezikon Shqipëria çeljen e negociatave në Qershorin e vitit të ardhshëm për shkak të situatës aktuale politike? Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati thotë ofertën e shumicës për kompromis, opozita e ka në tryezë.
“Reformën zgjedhore, vettingun dhe magjistraturën i ka në tryezë. Jemi të hapur për çdo gjë”.
Edhe në takimin me Kryeministrin, ministri Maas përsëriti disa herë se Shqipëria, Gjermaninë do ta ketë në krah pasi e vlerëson si një partner kyç në rajon, duke e cilësuar si spiranca e stabilitetit në rajon.
“Nga ana jonë, perspektiva juaj europiane nuk është thjesht fjalë”.
Vetë Kryeministri zbulon se janë duke lobuar që Shqipëria të mund të marrë drejtimin e OSBE, pikërisht për këtë mbështetje thotë se i kërkoi dhe ministrit Maas.
Ministri i Jashtëm gjerman ka zhvilluar një takim dhe me kreu e opozitës Lulzim Basha si dhe me anëtarët e Komisionit të Pavarur të Apelimit.
Tv Klan