Një vendim skandaloz dhe i paprecedentë i Televizionit Publik Shqiptar, që bllokoi trasmetimin live të seancës plenare për të gjithë operatorët televizivë privatë, solli reagime të forta në parlament.

Opozita lëshoi akuza të ashpra, duke përfshirë edhe kreun e qeverisë.

“Ky vendim është kryekëput vepër e Edi Ramës, një njeri i cili u del shqiptarëve, siç ka thënë një shkrimtar i shquar, edhe kur hapin derën e frigoriferit, tani përpiqet të mbyllë kanalet televizive. Unë i bëj thirrje me urgjencë të mblidhet kryesia e parlamentit dhe të abrogojë këtë vendim të pashembullt në historinë e parlamentit”.

Por edhe vetë Kryeministri Rama e quajti të paligjshëm vendimin e Radio Televizionit Publik.

“TVSH nuk mund të ketë asnjë ekskluzivitet mbi hapësirën e jetës parlamentare. Kërkesa e TVSH-së për t’ua shitur apo imponuar televizioneve private në këmbim të pagesës, apo dhënien me sinjalin e TVSH-së është diçka që i takon së shkuarës, sepse asnjë televizion nuk mund ta ketë këtë ekskluzivitet

“.

Kreu i qeverisë bëri edhe një propozim konkret për t’i dhënë fund ekskluzivitetit të transmetimit të seancës plenare nga Televizioni Publik Shqiptar.

“Kuvendi duhet të ketë televizionin e vet, duhet të ketë shërbimin e vet, për të gjithë të interesuarit që ta marrin këtë shërbim. Si në çdo vend normal dhe në çdo vend ky shërbim jepet nga ekrani i Kuvendit.

Deri disa vite më parë, të gjitha televizionet e prodhonin vetë sinjalin për seancat plenare, me kamerat e tyre që qëndronin në llozhën e Kuvendit. Por shtimi i televizioneve të shumta, shtoi edhe konfuzionin në ambientet e Kuvendit dhe jashtë tij, për shkak të lëvizjeve të shumë gazetarëve, kameramanëve e teknikëve, me të gjitha mjetet e transmetimit.

Për ta shmangur këtë konfuzion, mediat ranë dakord që, meqë Televizioni Publik Shqiptar e prodhonte sinjalin, duke pasur kamerat edhe brenda në sallën e deputetëve, t’ua shpërndante edhe televizioneve publike.

TVSH u tërhoq sot në mënyrë të pabesë nga kjo marrëveshje, pa i njoftuar paraprakisht televizionet e tjera.

Është pikërisht pabesia dhe arbitrariteti i heqjes së sinjalit, që e bën këtë një akt të turpshëm dhe të dënueshëm, pasi TVSH nuk ka asnjë të drejtë më shumë se mediat e tjera për aksesin në punimet e Kuvendit dhe informimin e publikut.

Nëse TVSH do t’i kishte njoftuar televizionet qoftë edhe vetëm 1 ditë më parë, secili prej tyre do të mund ta transmetonte seancën me pajisjet e tij. Por me këtë akt transmetuesi publik i preu në besë televizionet e tjera.

Tv Klan