Presidenti Begaj i ka dërguar një letër kuvendit lidhur skandalin e mikrokrediteve, ku viktima të grabitjes sipas tij janë bërë një numër i lartë individësh, të cilët në masë i përkasin shtresave të shoqërisë që, si rregull, janë vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse.

Bajram Begaj, President i Shqipërisë: Viktima të “grabitjes me mikrokreditë” janë bërë një numër i lartë individësh, të cilët në masë i përkasin shtresave të shoqërisë që, si rregull, janë vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse. Kjo rrethanë duhet t’i ngrejë në alarm institucionet, jo thjesht për dramën e papërballueshme individuale të viktimave të këtij abuzimi, jo aq për t’iu përgjigjur pozitivisht ndjeshmërisë dhe solidaritetit njerëzor që shoqëria shfaqi pa kursim dhe me vetëdije për ta, por më shumë për të treguar se shteti dhe institucionet janë aty për njerëzit dhe në shërbim të tyre.

Begaj thekson nevojën për një reagim të fortë, të bashkërenduar dhe efikas të të gjithë strukturave kompetente, për të dominuar jo vetëm këtë skemë abuzimi, por për të siguruar që të tilla ngjarje në të ardhmen të parandalohen në gjenezë.

Sipas Begajt qytetarët kanë nevojë të kuptojë se shteti dhe institucionet janë me ta dhe kundër abuzuesve.

Bajram Begaj, President i Shqipërisë: Unë kam ndjekur me vëmendje dhe e mbështes procedimin penal që ka nisur dhe po zbardh rolin e aktorëve të përfshirë dhe gjithë mekanizimin kriminal me mikrokreditë, por nuk mund të qëndroj pa konstatuar se përballë kemi një rast flagrant abuzimi.

Ky mekanizëm ka qenë i shtrirë në një kohë relativisht të gjatë dhe, për më tepër, një vepër penale të kryer nga subjekte të cilat kanë qenë, për shkak të funksionit, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore.

Presidenti ka diskutuar ketë çështje me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. Kjo çështje sipas presidentit nuk zgjidhet me politizim apo me retorikë të panevojshme.
Pas letrës së Presidentit ka reaguar Grupi Parlamentar i PD-së, sipas të cilit konstatimet e Presidentit për çështjen e mikrokredive janë në një linjë me qëndrimet e opozitës.

Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike shpreh gatishmërinë që me fillimin e sesionit të ri parlamentar të mbështesë ngritjen e një komisioni të posaçëm për të kontrolluar zbatimin e ligjit nga institucionet përgjegjëse. Ndërsa Presidentin e ftojnë që gjetjet e tij t’ia përcjellë edhe SPAK-ut.

Klan News