Turistët dhe vizitorët duhej të ishin impresionuar nga bukuria natyrore e Liqenit të Komanit, por e kundërta ka ndodhur. Ata janë zhgënjyer nga tonelata mbetje urbane që pluskojnë prej ditësh mbi ujë.
Mbetjet, sipas autoriteteve, vijnë nga lumenj e përrenj që derdhen në liqen, si nga jashtë Shqipërisë, ashtu edhe nga zona të administruara nga Bashkia Kukës ajo e Tropojës apo nga lumi i Shalës, që administrohet nga Bashkia e Shkodrës.
KESH nisi një aksion për pastrimin e liqenit. Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, u bëri thirrje bizneseve që operojnë në lumin e Shalës, prej ku vijnë një pjesë e mbetjeve, të bëhen pjese e aksionit të pastrimit, pasi një pjesë të faturës të ndotjes së liqenit e mbajnë edhe ata.
“Të gjithë bizneset që janë në lumin e Shalës të vijnë dhe të lidhin një kontratë me bashkinë e Vaut të Dejës për heqjen e mbeturinave, por jo heqjen e mbeturinave në ujrat e hidrocentralit, po mbeturinat që prodhojnë bizneset në lumin e Shalës”, shprehet kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës.
Situata është e përsëritur. Pak kohë më parë, ky fenomen çoi në këtë zonë Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun dhe Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaron, të cilat kërkuan një zgjidhje afatgjatë, duke sjellë në vëmendje faktin se pjesë e mbetjeve vijnë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut përmes lumenjve.
Liqeni i Komanit, gjithmonë e më shumë po kthehet në një atraksion turistik. Nëpërmjet tij kalohet për në lumin e Shalës, një prej destinacioneve kryesore të turizmit veror. Por ndotja e tij nga mbetjet urbane rrezikon ta dëmtojë zhvillimin turistik të kësaj zonë nëse nuk do të merren masa për të parandaluar këtë fenomen.
Tv Klan