Një episod skandaloz u regjistrua në stadiumin “Epet Arena”, në sfidën Çeki-Shqipëri. Tifozët vendas, vendosën flamuj të Shqipërisë me kokën poshtë dhe me kryq, mbrapa portës së tyre në pjesën e parë.
Aty u vendos edhe harta e Kosovës, në flamurin serb. I pyetur në lidhje me këtë, Mirlind Daku, deklaroi për Tv Klan, se e ka këtë dhe e vuri në dijeni arbitrin e ndeshjes, por ndeshja nuk u ndalua.
“E kemi parë dhe unë për shembull kam komunikuar me gjyqtarin. Këtu nuk i hoqën. Unë jam edhe më i riu këtu dhe nuk mund t’i marr vendimet për të ndalur ndeshjen. E drejta ime ishte vetëm t’i tregoja gjyqtarit. I tregova se këto flamuj janë provokues ndaj lojtarëve. Por nuk u hoqën. Nuk kemi çfarë të bëjmë, jemi shtet i vogël…”, deklaroi Daku.
Flamujt u hoqën në pjesën e dytë, ndërsa për Federatën Çeke pritet të ketë edhe një dënim nga UEFA. /tvklan.al