Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“Grushtin e shtetit e 14 Shtatorit të 98, Nano e di shumë mirë se kush e organizoi. Unë, Meta dhe Mejdani u përpoqëm të mbulonim Nanon pasi u arratis në Maqedoni, por duket se nuk ia paska vlejtur mbështetja që i dhamë”.

Kryetari i PSD i është kundërpërgjigjur akuzave të kryeministrit Nano, bërë natën e kaluar në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, i cili e akuzoi Gjinushin, se së bashku me Metën dhe Mejdanin, janë përpjekur në 98, për të hedhur qeverinë e tij.

Skënder Gjinushi:- “Kjo është deklarata më e papërgjegjshme që bën zoti Nano, me këtë tregon se ai është vërtetë në një krizë të rëndë personaliteti, sepse i vetmi njeri, që s’duhet të kishte kurjon të kujtonte 14 Shtatorin është Fatos Nano. Ne e kemi mbrojtur dhe ruajtur që të mos e ulnim figurën e tij, për atë çka ka ndodhur në 14 Shtator dhe për të mos i treguar opinionit që ai është një frikacak i pakorrigjueshëm, sepse dihet shumë mirë, se çfarë ka ndodhur në 14 Shtator dhe dihet shumë mirë, se kush i ka bërë skenarët, por ai prej kohësh ka marrë mesa duket detyrën të rehabilitojë Sali Berishën, i cili ia ka thënë edhe në parlament edhe në kohët e fundit, që po vazhdove kështu të çojë prapë në Maqedoni, pra duke i kujtuar se është ai që e ka përzënë në 13 dhe 14 Shtator, sepse Nano ka ikur dy herë dhe jo një herë dhe mesa duket ato opinga që veshi për të ikur nga Biza, ato ka ndërmend të veshi përsëri. Pra të gjitha këto tregojnë që ai është tepër i dëshpëruar për krizën e tij politike që po përjeton, për pamundësinë që ka për të menaxhuar situatën, për faktin që e vetmja rrugë shpëtimi ose mbijetese i ka mbetur vetëm rehabilitimi i Berishës, sepse dy të dështuar ka nevojë që të mbështeten tek njëri tjetri. Në qoftë se, ai ka aq burrëri e cila mesa duket i mungon, kuptohet që këto prova do i kishte dhënë së bashku me Saliun dhe gabimi ynë është që s’kemi demaskuar me kohë faktin që ai braktisi dy herë vendin me po ato opinga që kërkon tani, se thonë që u maskua edhe si fshatar, që të mos e kapnin rrugës, aq i tmerruar ka qenë”.

Përsa i përket rikompozimit të qeverisë, Gjinushi është përgjigjur, se do të marrë pjesë në të, vetëm nëse do të ketë një rikompozim të plotë dhe jo një arnim të qeverisë. Vendimin e Nanos, për të qeverisur me zv/ministra Gjinushi e ka cilësuar aventurë të kryeministrit./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka